Kosova nënshkruan marrëveshje me Institutin e Bazelit për rikthimin e pasurive të paligjshme

04 gusht 2026 | 11:39

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, drejtoresha ekzekutive e Institutit të Bazelit për Qeverisje në Zvicër (IBQ), Elizabeth Andersen dhe drejtori i Qendrës Ndërkombëtare për Rikthimin e Pasurive (QNRP – ICAR), Iker Lekuona, kanë nënshkruar në formë elektronike një marrëveshje bashkëpunimi, e cila synon të avancojë përpjekjet për rikthimin dhe riatdhesimin e pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme përmes korrupsionit ose formave të tjera të abuzimit me pushtetin.

Marrëveshja ka për qëllim rikthimin e pasurive të paligjshme që ndodhen jashtë vendit dhe që ligjërisht i përkasin Republikës së Kosovës.

Për më tepër, kjo marrëveshje bashkëpunimi synon të lehtësojë bashkëpunimin më efektiv me autoritetet e shteteve të tjera në lidhje me gjurmimin, identifikimin dhe ndjekjen penale të pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme, me qëllim rritjen e efikasitetit në luftimin e korrupsionit, pastrimit të parave dhe krimit të organizuar.

Gjithashtu, përmes këtij bashkëpunimi, Instituti i Bazelit për Qeverisje, nëpërmjet këshillave strategjike, udhëzimeve praktike dhe asistencës, do ta mbështesë Prokurorin e Shtetit në çështjet e sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurive të paligjshme, në përputhje me standardet dhe praktikat më të larta të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fulhami ka zyrtarizuar transferimin e sulmuesit spanjoll Gonzalo Garcia nga…