Gruda: Nuk jemi pishman që nuk kemi shkuar në takim, Kurti nuk ka ndryshuar asgjë
Përparim Gruda nga PDK-ja, ka deklaruar se PDK-ja nuk është penduar për vendimin që të mos marrë pjesë në takimin e thirrur nga kryeministri Albin Kurti.
Gruda tha se vendimi nuk është marrë me ngut, pa diskutim apo si rezultat i ndonjë inati, por është një qëndrim i menduar i partisë.
“Nuk jemi pishman, sepse kjo nuk është një përgjigje e marrë me ngut, as pa një diskutim dhe as si rezultat i ndonjë inati. Përgjigjja ‘jo’ është fare e thjeshtë, sepse nuk ka ndryshuar asgjë para zgjedhjeve të 7 qershorit”, ka deklaruar Gruda ne emisionin “Debat Plus”.
Sipas tij, kryeministri Albin Kurti ka vazhduar me të njëjtat kërkesa dhe ambicie politike edhe pas takimeve me partitë opozitare.
“Zoti Kurti i ka shfaqur të njëjtat pritje dhe ambicie. Ai po do t’i marrë të gjitha pushtetet, përfshirë edhe postin e presidentit. Po përpiqet të krijojë përshtypjen se po e ndan pushtetin me opozitën, por nuk po e ndan atë”, ka thënë Gruda.
Ai ka kritikuar procesin e takimeve politike, duke e cilësuar si një veprim që, sipas tij, synon vetëm krijimin e lajmeve.
“Ne nuk kemi nevojë të marrim pjesë në një teatër politik, ku shkohet në takime vetëm për të prodhuar lajme që i duhen Kurtit”, është shprehur ai.
Gruda ka thënë se PDK-ja nuk është për një marrëveshje që, sipas tij, do t’i jepte Kurtit kontroll mbi të gjitha institucionet, por as për dërgimin e vendit në zgjedhje të reja.
“Ne nuk shkojmë të negociojmë me një njeri që i do të gjitha pushtetet, por as nuk duam ta çojmë Kosovën në zgjedhje. Ne qëndrojmë me opozitën dhe do të negociojmë me të tjerët”, ka përfunduar Përparim Gruda.



