Prince Caffe vazhdon të prodhojë kafe për brendin Franck të Kroacisë (VIDEO)
Në fabrikën e Prince Caffe në Pejë, pjesë e Devolli Corporation, po prodhohet kafe për brendin kroat Franck, e destinuar për tregun e Kroacisë.
Procesi i prodhimit përfshin disa faza, duke nisur nga përzgjedhja e lëndës së parë, testimet laboratorike, pjekja dhe bluarja e kafesë, deri te ambalazhimi final. Sipas kompanisë, çdo etapë monitorohet për të garantuar standardet e cilësisë që kërkon partneri.

Udhëheqësja e laboratorit në Prince Caffe, Melita Lleshi, thotë se para se të niste prodhimi, kompania iu nënshtrua një auditimi treditor nga ekipi i cilësisë së Franck, të cilin e kaloi me sukses.
“Pas auditimit kemi zhvilluar formulimet dhe testet e nevojshme, të cilat i kemi dërguar te Franck. Vetëm pasi morëm miratimin për shijen dhe vlerësimin organoleptik, filloi procesi i prodhimit në fabrikën tonë”, tha Lleshi.
\
Ajo shpjegon se kontrolli i cilësisë nis që me pranimin e lëndëve të para.
“Kontrollohen kafeja, produktet e qumështit dhe të gjithë përbërësit që përdoren në produktet instant. Për çdo ngarkesë realizohen analiza të brendshme dhe të jashtme fiziko-kimike dhe mikrobiologjike, për të siguruar që produkti i plotëson standardet e kërkuara”, u shpreh ajo.
Pas përfundimit të të gjitha kontrolleve, produkti ambalazhohet dhe paketohet sipas specifikave të partnerit, përpara se të eksportohet në Kroaci.
Lleshi bëri të ditur se bashkëpunimi me Franck po vazhdon edhe me zhvillimin e produkteve të reja.
“Kjo porosi tashmë ka përfunduar, ndërsa aktualisht po punojmë për produktin ‘Strong’. Në bashkëpunim me departamentin e Research and Development po zhvillojmë receptura të reja dhe zgjidhje të reja logjistike, sipas kërkesave të partnerit”, tha ajo.

Prince Caffe thekson se kjo nuk është hera e parë që produktet e saj eksportohen në tregjet ndërkombëtare. Për vite me radhë, kompania ka bashkëpunuar me partnerë nga vende të ndryshme, duke promovuar prodhimin “Made in Kosovo” jashtë vendit.




