Çmimi i naftës, Kusari-Lila nuk përjashton masa të reja
Çmimet e derivateve të naftës po shtrenjtohen, ndërsa kriza jashtë kufijve po ndihet gjithnjë e më shumë në xhepat e qytetarëve.
Pas përfundimit të masës për çmimin maksimal, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë po monitoron nga afër tregun, ndërsa ministrja Mimoza Kusari-Lila thotë se shkak për rritjen janë zhvillimet në Lindjen e Mesme.
Ajo nuk përjashton masa të reja nëse rritja e çmimeve prek edhe furnizimin në tregun vendor.
Kusari-Lila në një intervistë për Ekonomia Online tha se vendimi për përcaktimin e çmimit maksimal ishte hequr për shkak të tejkalimit të afatit të përcaktuar me udhëzimin administrativ.
“Arsyeja e heqjes së vendimit për caktimin e çmimit maksimal ka qenë tejkalimi i afatit në udhëzimin administrativ që e përcakton vendosjen e çmimit maksimal, afat ky i cili ka qenë 90 ditë, ndërsa ne kemi përcaktuar çmimin maksimal për 150 ditë, duke e parë rëndësinë edhe peshën e këtij vendimi”, tha ministrja.
Sipas saj, rritja e çmimeve është ndikuar nga zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe jo nga ndryshimet në tregun e brendshëm.
“Rritja e çmimit nuk ka ndodhur si rrjedhojë e heqjes së vendosjes ose përcaktimit të çmimit maksimal, por ka ardhur si rrjedhojë e përkeqësimit të situatës në Lindjen e Mesme, sulmeve të vazhdueshme. Me një situatë të tillë po përballen tashmë të gjitha vendet e rajonit dhe vendet e Bashkimit Evropian edhe më gjerë”, u shpreh Kusari-Lila.
Ajo tha se Ministria po e përcjell çdo ditë situatën në treg, përfshirë çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë të naftës dhe derivateve të saj.
“Ne jemi duke e përcjellë për së afërmi çdo ditë edhe çmimet, shitjet me shumicë dhe me shitjet me pakicë të naftës dhe derivateve të saj. Gjithashtu, jemi duke marrë raportin çdo 24 orë nga Dogana e Kosovës me sasinë e importit dhe me çmimin e importit dhe sasisë së secilës kompani që vepron. Prandaj kemi mundësinë të shohim secila kompani se sa ka marzhën ose sa mbi çmimin e importuar ka rritur e shet në fakt çmimin me pakicë dhe më duhet të them se nuk ka shumë dallim apo nuk ka dallim fare për arsye se tash ka çmime të ndryshme në treg midis asaj çfarë ne do ta kishim përcaktuar dhe asaj çfarë shesin kompanitë. Por gjithsesi se për së afërmi jemi duke e parë nëse ka hapësirë për ndërmarrje të një mase shtesë”, tha ajo.
Lidhur me burimin e krizës në furnizim, ajo nënvizoi se destabilizimi po vjen direkt nga vendet prodhuese.
“Megjithatë më duhet ta ritheksoj se situata nuk po vjen si rrjedhojë e ndryshimeve në tregun e brendshëm, por si rrjedhojë e përkeqësimit tek vendet e furnizimit, në këtë rast Arabia Saudite dhe vendet e tjera të Lindjes së Mesme, të cilat po ballafaqohen tashmë me sulme të vazhdueshme dhe me ndërprerje të furnizimit me naftën dhe derivatët e saj”, u shpreh ajo.



