Ministri Basha cakton Besian Hysajn ushtrues detyre të drejtorit të përgjithshëm të KANS
Besian Hysaj është caktuar ushtrues i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Ofruesit të Shërbimeve të Navigacionit Ajror (KANS).
Lajmin e ka bërë me dije ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, përmes një postimi në “Facebook”.
Basha ka njoftuar se vendimi është marrë nga Këshilli Mbikëqyrës i KANS-it, pas përfundimit të mandatit të drejtorit të mëparshëm.
Në mbledhje ka marrë pjesë edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, ndërsa Basha, sipas tij, e kryeson këtë këshill në përputhje me ligjin.
“Me përfundimin e mandatit të drejtorit të përgjithshëm të KANS, së bashku me ministrin e Financave, z. Hekuran Murati, në cilësinë e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të cilin sipas Ligjit e kryesoj unë, kemi mbajtur mbledhjen dhe kemi vendosur që z. Besian Hysaj të caktohet ushtrues i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Ofruesit të Shërbimeve të Navigacionit Ajror, për një periudhë prej gjashtë muajsh, me mundësi vazhdimi, deri në përzgjedhjen e drejtorit të ri. Me këtë vendim do të garantohet vazhdimësia e drejtimit dhe funksionimit të rregullt në KANS, pa krijuar vakum institucional në një fushë të tillë me rëndësi të lartë për sigurinë dhe rregullsinë e trafikut ajror në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Basha.



