Konsumi i energjisë elektrike në Kosovë rritet për 21.20 për qind
Konsumi i energjisë elektrike në Kosovë ka arritur në 415.84 GWh gjatë korrikut 2026, duke shënuar rritje prej 21.20 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).
Sipas ASK-së, rritja më e madhe e konsumit është regjistruar në industri. Ky sektor ka shpenzuar 53.41 GWh energji elektrike, apo 180,80 për qind më shumë krahasuar me një vit më parë.
Konsumi në sektorin komercial ka arritur në 124,62 GWh, duke shënuar rritje prej 33,16 për qind. Ndërkaq, amvisëritë kanë shpenzuar 217.71 GWh, apo 2.24 për qind më shumë se në korrikun e vitit paraprak.
Amvisëritë kanë përbërë 52.4 për qind të konsumit të përgjithshëm, ndërsa sektori komercial ka pasur pjesëmarrje prej 30 për qind. Industria ka përfaqësuar 12.8 për qind të energjisë së konsumuar.
Sipas ASK-së, prodhimi bruto nga hidrocentralet ka arritur në 14.12 GWh. Krahasuar me korrikun e vitit 2025, kjo paraqet rritje prej 91.71 për qind.
Termocentralet kanë prodhuar 386.26 GWh, apo 1,13 për qind më shumë se një vit më parë. Ndërkaq, prodhimi nga era dhe energjia diellore ka rënë për 20.95 për qind, në 20.46 GWh.
Pjesëmarrja e energjisë alternative në konsumin e përgjithshëm ka qenë 8.31 për qind.
Kosova, sipas ASK-së, ka importuar 319.99 GWh energji elektrike gjatë korrikut, 5.23 për qind më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në të njëjtën periudhë janë eksportuar 289.45 GWh energji elektrike, përfshirë edhe sasinë e transmisionit. Eksporti është rritur për 18.55 për qind.
Ndërkaq, prodhimi i thëngjillit ka arritur në rreth 476.6 mijë tonë, duke shënuar rritje prej 25.28 për qind krahasuar me korrikun e vitit 2025.



