AKB në Forumin Ekonomik të OBT-së, Agim Shahini takon drejtoreshën e përgjithshme Ngozi Okonjo-Iweala

15 shtator 2026 | 12:03

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) po merr pjesë në Forumin Ekonomik të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) “Powering the Future”, një nga forumet e rëndësishme ndërkombëtare ku diskutohen e ardhmja e tregtisë globale, zhvillimi ekonomik, investimet dhe sfidat e ekonomisë botërore.

Në kuadër të këtij forumi, Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve – AKB, zhvilloi një takim me Drejtoreshën e Përgjithshme të Organizatës Botërore të Tregtisë, Ngozi Okonjo-Iweala, duke e vendosur Kosovën dhe interesat e komunitetit të biznesit kosovar në vëmendjen e dialogut ekonomik ndërkombëtar.

Gjatë takimit u diskutuan mundësitë për rritjen e bashkëpunimit ekonomik, zgjerimin e tregjeve për bizneset kosovare, rritjen e eksporteve dhe përfshirjen më të madhe të sektorit privat të Kosovës në tregtinë ndërkombëtare.

Agim Shahini theksoi rëndësinë që Kosova të jetë më aktive në ekonominë globale dhe që bizneset kosovare të kenë mundësi të reja për të depërtuar në tregjet ndërkombëtare.

“Kosova nuk duhet të jetë vetëm një treg që importon, por duhet të bëhet një ekonomi që prodhon, eksporton dhe konkurron në tregun global. Prania e AKB-së në OBT është një mundësi për ta çuar zërin e biznesit kosovar aty ku diskutohen drejtimet e ardhshme të ekonomisë botërore”, u shpreh Shahini.

AKB, ndër vite, ka marrë pjesë në aktivitete dhe forume ndërkombëtare të kësaj natyre, duke përfaqësuar interesat e komunitetit të biznesit kosovar, duke promovuar potencialet ekonomike të Kosovës dhe duke kërkuar mundësi të reja për investime, eksporte, partneritete dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Pjesëmarrja në Forumin Ekonomik të OBT-së “Powering the Future” është një tjetër dëshmi se biznesi kosovar duhet të jetë pjesë e tryezave ku vendoset dhe diskutohet e ardhmja e tregtisë globale.

AKB do të vazhdojë të punojë për ndërkombëtarizimin e sektorit privat, promovimin e produkteve “Made in Kosovo”, rritjen e eksporteve dhe krijimin e lidhjeve të reja me komunitetet e biznesit dhe institucionet ekonomike ndërkombëtare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Flamuri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është vendosur në…