BQK-ja forcon më tej rrjetin e sigurisë financiare të Kosovës përmes qasjes në mekanizmin e avancuar EUREP të BQE-së

14 shtator 2026 | 14:29

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka pranuar konfirmimin për përfshirjen e saj në mekanizmin e avancuar të Eurosistemit për transaksionet REPO me bankat qendrore – Eurosystem Repo Facility for Central Banks (EUREP), i themeluar nga Banka Qendrore Evropiane (BQE).

Ky zhvillim shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e mëtejmë të kornizës së BQK-së për ruajtjen e stabilitetit financiar dhe menaxhimin e likuiditetit në euro. Ai shton një shtresë të re qëndrueshmërie për sistemin financiar të Republikës së Kosovës.

BQK-ja aktualisht ka qasje në një linjë REPO deri në 100 milionë euro, të vlefshme deri më 31 janar 2027.

Përfshirja në kornizën e avancuar EUREP përfaqëson kalimin nga kjo marrëveshje e kufizuar në shumë dhe kohë drejt kornizës së përhershme të Eurosistemit për sigurimin e likuiditetit mbështetës në euro për bankat qendrore jashtë zonës së euros.

Në kuadër të kornizës së avancuar EUREP, bankat qendrore të pranueshme mund të sigurojnë likuiditet në euro kundrejt kolateralit cilësor të denominuar në euro. Kapaciteti maksimal i një linje individuale në kuadër të kësaj kornize mund të arrijë deri në 50 miliardë euro, në varësi të kërkesave të zbatueshme dhe aranzhimeve operacionale të Eurosistemit.

Guvernatori Ahmet Ismaili e mirëpriti këtë zhvillim si një arritje të rëndësishme në forcimin e mëtejmë të sigurisë dhe qëndrueshmërisë së sistemit financiar të Kosovës.

Guvernatori Ismaili gjithashtu theksoi se ky zhvillim pasqyron avancimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit institucional të BQK-së me bankat qendrore evropiane dhe Eurosistemin.

Shuma e disponueshme në kuadër të kësaj marrëveshjeje do të përcaktohet në përputhje me nevojat e vlerësuara, kërkesat e zbatueshme dhe kolateralin e pranueshëm, brenda limit të përgjithshëm të përcaktuar nga BQE.

Ky zhvillim plotëson reformat dhe masat e vazhdueshme të BQK-së për forcimin e stabilitetit financiar, mbikëqyrjes prudenciale, menaxhimit të rezervave dhe integrimit të Kosovës me infrastrukturën dhe mekanizmat financiarë evropianë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Oxygen SH.P.K me seli në Fushë Kosovë, shpall të pavlefshme…