FRIKA SI INSTRUMENT I LUFTËS SPECIALE TË PUSHTETIT
Shkruan: Hisen Berisha
Është abuzim politik të pretendohet se dikush e di paraprakisht përmbajtjen e vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Besimi i të gjithëve në drejtësi, është vendimi lirues, ashtu siç ishte dhe musioni i UÇK dhe luftës donë. Vendimi nuk është publikuar dhe askush nuk ka të drejtë ta shpallë paraprakisht përmbajtjen e tij si fakt.
Por pikërisht këtu fillon shqetësimi.
Veprimet dhe deklarimet e Kurtit dhe Sveçles, të shoqëruara me paralajmërimin dhe publikimin e “Planit Operative” për zhvillimet e mundshme më 16 shtator, po krijojnë një klimë të panevojshme frike dhe pasigurie te qytetarët.
Nëse këto janë vërtet çështje të brendshme operative të Policisë dhe institucioneve të sigurisë, atëherë lind pyetja, pse po ekspozohen publikisht në këtë mënyrë?
Kjo nuk është më vetëm çështje sigurie. Është çështje e përgjegjësisë politike.
Sepse kur një qeveri, përmes institucioneve të saj, përmes deklarimeve politike dhe përmes rrjeteve të afërta politike e mediatike, fillon të ndërtojë një atmosferë të “rrezikut të madh”, qytetari duhet të pyesë se, a po informohet për një rrezik real, apo po përgatitet psikologjikisht për një skenar politik?
Kjo ngjan me mekanizma të njohur të “luftës speciale” që të krijohet pasiguria, të amplifikohet kërcënimi, të përhapet frika dhe masa të përgatitet emocionalisht për një zhvillim që ende nuk ka ndodhur dhe nuk duhet të prodhoj pasiguri.
Dhe kjo bëhet edhe më serioze kur në rrjete sociale të afërta me strukturat politike të LVV-së që prodhohrn nga Qendra Teknologjike Informative e LVV dhe Komiteteve Partiake të Mihajlit, qarkullojnë pretendime të pakonfirmuara se ambasadat e huaja po largojnë personelin nga Kosova.
Kush po e ndërton këtë rrëfim dhe pse?
Nëse nuk ka një konfirmim zyrtar nga ambasadat përkatëse, atëherë përhapja e këtyre lajmeve nuk është informim. Është prodhim i frikës dhe pasiguris.
Dhe ky është një mesazh jashtëzakonisht i rrezikshëm, që prezumon sikur Kosova po hyn në një situatë “lufte” ose destabilizimi.
Nëse pas 16 shtatorit do të kemi një vendim të rëndë të Dhomave të Specializuara, veçanërisht një vendim që do të mund të interpretohej në narrativën e një “Ndërmarrjeje të Përbashkët Kriminale”, Serbia do të përpiqej menjëherë ta shfrytëzonte atë politikisht, juridikisht dhe propagandistikisht kundër Kosovës.
Por, Serbia nuk duhet të marrë asnjë dhuratë nga vetë Kosova.
Çdo revoltë e dhunshme, çdo sulm ndaj institucioneve të Kosovës, çdo përplasje me Praninë Ndërkombëtare, çdo skenë kaosi në rrugët e Prishtinës e Kosovës, do të ishte material propagandistik për Beogradin.
Kjo duhet të kuptohet shumë qartë.
Kosova nuk mbrohet duke e futur qytetarin në panik e pasiguri.
Kosova nuk mbrohet duke prodhuar skenarë lufte.
Kosova nuk mbrohet duke e kthyer një proces gjyqësor në instrument mobilizimi politik.
Kosova mbrohet me shtet, me institucione, me ligj, me qetësi dhe me aleatët tanë ndërkombëtarë.
Prandaj, përgjegjësia politike e Kurtit dhe Sveçlës është e madhe. Dhe ju thëm se, mos e përdorni sigurinë si instrument frikësimi politik dhe mos e përdorni qytetarin si masë psikologjike për një skenar që askush nuk e di ende.
Nëse ekziston një kërcënim real, institucionet duhet të veprojnë profesionalisht dhe në heshtje operative.
Nëse nuk ekziston, atëherë publikimi i planeve, paralajmërimeve dhe skenarëve alarmues është i papërgjegjshëm.
Dhe në të dyja rastet, qytetari ka të drejtë të kërkojë përgjigje se,
Kush po e prodhon frikën?
Kush po e shpërndan?
Kush përfiton politikisht prej saj?
Dhe kujt po i shërbejnë këto skenare?
Marshi i 12 shtatorit ishte një manifestim paqësor për liri dhe drejtësi. Ai nuk duhet të përdoret si pretekst për të krijuar klimë tensioni para 16 shtatorit.
Asnjë vendim gjykate nuk e arsyeton dhunën.
Asnjë padrejtësi e pretenduar nuk arsyeton kaosin.
Dhe asnjë krizë politike nuk i jep të drejtë askujt ta përdorë frikën e qytetarëve si instrument pushteti.
Kosova duhet të jetë më e mençur se skenarët që mund të përgatiten për të, qofzë edhe nga strukturat e pushtetit që po mbijeton në kriza.
Ajo që duhet mbështetur është:
Shteti mbi frikën.
Institucionet mbi partitë.
Qetësia mbi provokimin.
Dinjiteti i Kosovës mbi çdo agjendë politike.



