Në emër të popullit të Kosovës – pa zërin e Tij
Shukrije Rama
Një vendim mund të mbyllet me goditjen e çekiçit, por dhimbja që lë pas nuk mbyllet bashkë me të. Kur ai shqiptohet në emër të popullit të Kosovës, ndërsa populli nuk ka as karrige, as zë në atë sallë, ajo fjali nuk i sjell nder – i lë barrën e një vendimi të marrë pa zërin e tij.
Tetëdhjetë e një vjet. Katër dënime. Dhe, në fund, një fjali më e rëndë se të gjithë numrat: “Në emër të popullit të Kosovës.” Populli nuk ishte në atë sallë. Nuk vendosi, nuk shkroi dhe nuk foli. Por emri i tij ishte aty. Vitet u numëruan larg; dhimbja mbërriti në Kosovë.
Ky nuk është një popull që historinë e ka mësuar vetëm nga librat. Është një popull që e ka përjetuar dhe e ka mbajtur mbi supe; që ka humbur bij e bija, shtëpi dhe vite jete; që ka pritur gjatë për një ditë më të qetë. Prandaj, kur thirret emri i tij, nuk shqiptohen vetëm disa fjalë. Preket një kujtesë e tërë; preket një plagë që koha e ka mbuluar, por nuk e ka shëruar.
Në tavolinën e largët, secili e kishte vendin e vet. Ligji kishte dosjet. Drejtësia kishte peshoren. Palët kishin fjalën dhe mbrojtjen e tyre. Vendimi kishte çekiçin. Vetëm populli i Kosovës nuk kishte karrige. Megjithatë, emri i tij u thirr i pari. Sa i hidhur ky nder: të mungosh nga tavolina, por emri yt të qëndrojë mbi vendimin.
Edhe fjalët erdhën nga larg. Vendimi u shqiptua në anglisht, ndërsa në Kosovë u dëgjua përmes përkthimit. Për të kuptuar çfarë ishte bërë në emër të tij, popullit i duhej përkthyesi. Fjalët duhej të përktheheshin; dhimbja jo. Ajo mbërriti pa përkthyes.
Tetëdhjetë e një vjet u ndanë në katër dënime. Dhimbja nuk u nda në katër; ajo u shpërnda në mijëra zemra. Në sallë, vitet u bënë numra mbi letër. Në Kosovë, numrat u bënë heshtje. Atje fjalët e vendimit morën fund; këtu mbeti e hapur një pyetje: Si mund të flitet në emër të një populli, kur emri i tij është brenda vendimit, por zëri, vendi dhe gjuha e tij mbeten jashtë sallës?!
Emri i popullit nuk është vulë, as stoli në fund të një vendimi. Ai bart kujtesë, dinjitet dhe dhimbje. Kur thirret emri i tij, duhet dëgjuar edhe zëri i tij. Populli nuk mund të futet në një vendim vetëm me emër, e të lihet jashtë kur pesha e atij vendimi bie mbi të.
Mos e lëndoni popullin e Kosovës, në emër të popullit të Kosovës.



