Nga “trafikimi i organeve” te Dhomat e Specializua: narrativë apo një konspiracion i institucionalizuar?
Shkruan: Ibrahim Gashi
Historia e krijimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë nuk filloi në vitin 2015, me ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, por shumë më herët. Ajo fillon me një pretendim që u shndërrua gradualisht nga një akuzë e publikuar në një libër në një çështje parlamentare ndërkombëtare, më pas në një raport të Këshillit të Evropës, në një hetim ndërkombëtar dhe, përfundimisht, në themelin politik e juridik të një institucioni gjyqësor të krijuar posaçërisht për Kosovën.
Kjo kronologji është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse tregon se institucioni që sot gjykon drejtuesit e UÇK-së është produkt i një procesi që filloi shumë kohë përpara se të ekzistonte një aktakuzë konkrete kundër tyre.
Në prill 2008, Carla Del Ponte publikoi kujtimet e saj në librin: “La Caccia. Io e i criminali di guerra” (Gjuetia. Unë dhe kriminelët e luftës), ku përsëriti pretendime për trafikim organesh nga persona të lidhur me UÇK-në. Vetë Dick Marty, në raportin e tij të vitit 2011, e identifikon librin e Del Pontes si burimin që shkaktoi reagimin parlamentar në Këshillin e Evropës.
Më 15 prill 2008, vetëm pak kohë pas publikimit të librit, deputeti rus Konstantin Kosaçev dhe 16 parlamentarë të tjerë paraqitën në APKE mocionin Inhumane treatment of people and illicit trafficking in human organs in Kosovo. (Trajtimi çnjerëzor i njerëzve dhe trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë). Dokumenti kërkonte që pretendimet e Del Pontes të hetoheshin. Mocioni u referua më 29 maj 2008 te Komisioni për Çështjet Juridike dhe të Drejtat e Njeriut.
Më 25 qershor 2008, Dick Marty u caktua raportues. Kështu, pretendimi i Del Pontes nuk mbeti një pretendim i një ish-prokuroreje. Brenda një kohe shumë të shkurtër ai u shndërrua në një proces institucional të Këshillit të Evropës. Dhe pikërisht këtu fillon ajo që mund të quhet trajektorja e institucionalizimit të narrativës (konspiracionit):
Del Ponte – Kosaçev – Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (APKE) – Dick Marty – Rezoluta 1782 – hetimi i SITF – Williamson – krijimi i Dhomave të Specializuara.
Kjo nuk është një lidhje e hamendësuar. Është kronologji dokumentare. Vetë Dhomat e Specializuara i rendisin raportin e APKE-së, Exchange of Letters, ndryshimin kushtetues të vitit 2015 dhe marrëveshjet me Holandën ndër dokumentet themelore të institucionit. Bashkimi Evropian krijoi Special Investigative Task Force (SITF) për të hetuar pretendimet e raportit Marty. Më pas Clint Williamson drejtoi hetimin. Pas disa vitesh hetime, Williamson njoftoi se kishte prova për krime të rënda dhe se ekzistonte bazë për ndjekje penale ndaj disa figurave të larta të UÇK-së.
Por për trafikimin e organeve, mungonin prova. Këtu fillon paradoksi dhe rrjedhimisht dilema e vrojtuesve profesionist të procesit. Në vend që kjo akuzë të bëhej qendra e aktakuzës, ajo nuk u shndërrua në një akuzë penale të përfshirë në çështjen kryesore. Pra akuza gogol që ndihmoi të krijohej tronditja politike dhe publike nuk u bë akuza qendrore e procesit penal.
Dhe kjo krijon pashmangshem pyetjen logjike: Nëse elementi i trafikimit të organeve nuk ishte në gjendje të mbështetej me prova të mjaftueshme për një aktakuzë, çfarë roli kishte luajtur ai në procesin që çoi deri te krijimi i mekanizmit gjyqësor?
Nëse do të ishte krijuar një mekanizëm vetëm për të hetuar pretendimin specifik për trafikim organesh, atëherë zhdukja e kësaj akuze nga qendra e procesit do të mund të shënonte edhe fundin e tij. Por nuk ndodhi kështu. Institucioni mbeti. Dhe jo vetëm që mbeti: ai mori juridiksion për një gamë shumë më të gjerë krimesh të pretenduara gjatë luftës së Kosovës. Dokumentet zyrtare të Dhomave e lidhin në mënyrë eksplicite themelimin e tyre me raportin e APKE-së dhe procesin pasues.
Ky devijim jo i rastësishëm mund të lexohet edhe si mundësi e ekzistimit të një konspiracioni kundër shtetit të saposhpallur të Kosovës, duke pasur parasysh edhe nismen parlamentare në APKE nga deputeti rus dhe mbështetësi i tij serb.
Asgjë nuk duhet të besohet se ishte koinqidencë në këtë mes. Kosova ishte një rast jashtëzakonisht i veçantë: një shtet i ri, i krijuar pas ndërhyrjes së NATO-s dhe administrimit ndërkombëtar, me një elitë politike që në masë të konsiderueshme kishte dalë nga UÇK-ja.
Në këtë kontekst, ndërtimi i një institucioni ndërkombëtar që heton dhe gjykon figurat kryesore të luftës nuk është thjesht një çështje penale. Ai do të preke drejtpërdrejt: mënyrën se si interpretohet lufta e Kosovës;, legjitimitetin historik të UÇK-së; figurat që udhëhoqën tranzicionin politik; kujtesën kolektive dhe mënyrën se si ndërtohet narrativa ndërkombëtare për lindjen e shtetit të Kosovës.
Prandaj, Dhomat e Specializuara nuk mund të analizohen vetëm si gjykatë. Ato janë gjithashtu një institucion me pasoja të mëdha politike dhe historiografike për Kosovën.
Si përfundim: Nëse do të ishte krijuar një mekanizëm vetëm për të hetuar pretendimin specifik për trafikim organesh, atëherë zhdukja e kësaj akuze nga qendra e procesit do të duhej të shënonte edhe fundin e këtij mekanizmi. Por ndodhi e kundërta: Raporti Marty mund të shihet si porta politike përmes së cilës një pretendim jashtëzakonisht i rëndë u shndërrua në nevojë të perceptuar për një mekanizëm të jashtëzakonshëm juridik; pasi kjo portë u hap, objekti i mekanizmit u zgjerua dhe mbijetoi edhepse akuza më spektakolare që kishte ndihmuar në krijimin e tronditjes publike nuk u shndërrua në pjesë të aktakuzës kryesore. Ketu shihet qartë se nuk bëhët fjal për një narrativë juridike por një konspiracion i institucionalizuar politik të drejtuar kundër shtetit të Kosovës dhe historisë se sajb dhe kundër shteteve demokratike perendimore dhe NATO-s që kishin rol determinues në krijimin e këtij shteti.



