Nxori armën pas debatit për kalin në rrugë, arrestohet një person në Brezovicë
Një 65-vjeçar është arrestuar nën dyshimin se ka kanosur tre persona me armë zjarri në Brezovicë.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, rasti ka ndodhur më 5 gusht 2026, rreth orës 16:30, në afërsi të qendrës së skijimit në Brezovicë.
“Stacioni policor në Shtërpcë ka pranuar një informacion për një rast të kanosjes me armë zjarri në Brezovicë, në afërsi të qendrës së skijimit”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Sipas hetimeve fillestare, tre persona, të cilët po lëviznin me kuajt e tyre në një shteg të ngushtë malor, janë përballur me një person tjetër, i cili dyshohet se kishte lënë kalin e tij në rrugë dhe kishte refuzuar ta largonte për t’ua mundësuar kalimin.
“Pas një mosmarrëveshjeje verbale, i dyshuari, N.H. (65 vjeç), shtetas i Republikës së Kosovës, dyshohet se ka nxjerrë një armë zjarri (pistoletë) dhe i ka kanosur tre personat, duke përdorur njëkohësisht edhe fjalë fyese”, njofton Policia.
Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit për 48 orë, për hetime të mëtejme.
“Policia Rajonale e Ferizajt mbetet e përkushtuar në trajtimin e çdo rasti që cenon sigurinë publike”, thuhet në njoftim.



