Pesë zyrtarë të Listës Serbe ftohen në prokurori, dyshohen për falsifikim të dokumenteve komunale

05 gusht 2026 | 12:46

Pesë zyrtarë të Listës Serbe, Igor Simiq, Ivan Zaporosaq, Ivan Todosijeviq, Zoran Todiq dhe Vasilije Tomaseviq janë ftuar nga Prokuroria Themelore në Mitrovicën e Veriut për të dhënë deklarata më 13 gusht, në cilësinë e të pandehurve.

Lajmin e ka bërë të ditur Lista Serbe, e cila ka pretenduar se procedura lidhet me zhvillimet pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës në institucionet që funksiononin sipas sistemit të Serbisë në veri të Kosovës.

Sipas kësaj partie, zyrtarët dyshohen për falsifikim të dokumenteve komunale, ndërsa ka pretenduar se ndjekja penale ndaj tyre lidhet me funksionet që kanë ushtruar në institucionet e sistemit serb. “Kjo është pjesë e një plani më të gjerë që synon persekutimin e popullit serb dhe vazhdimin e presionit institucional mbi të gjithë ata që qëndrojnë pranë popullit të tyre dhe mbrojnë të drejtën e tyre për mbijetesë”, ka deklaruar Lista Serbe. Procedura lidhet me zhvillimet pas nëntorit të vitit 2022, kur përfaqësuesit serbë, të udhëhequr nga Lista Serbe janë larguar nga institucionet e Kosovës, përfshirë policinë, gjyqësorin, komunat, Qeverinë dhe Kuvendin, pas krizës së targave dhe kërkesës për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Autoritetet e Kosovës më pas kanë marrë nën administrim ose kanë mbyllur disa institucione që funksiononin sipas sistemit të Serbisë në veri të vendit.

Ky nuk është rasti i parë që autoritetet e drejtësisë në Kosovë zhvillojnë procedura ndaj ish-zyrtarëve të institucioneve që kanë vepruar në kuadër të sistemit serb.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shoqata e Industrisë së Qumështit të Kosovës (ShIQK), e cila…