Nevoja emergjente për një diskurs të ri politik dhe shtetëror

21 shtator 2026 | 14:27

Shkruan: Hajdin Abazi

16 shtatori e trandi Kosovën dhe shqiptarët gjithandej. Një realitet i ri që në të vërtetë ishte krijuar kaherë po që shumëkush edhe pa dashje refuzonim ta shihnim, befas u bë trishtueshëm i qartë, i prekshëm, dhe na e trazoi letargjinë.
Ai na goditi në liri!
Verdikti i Hagës ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kasri Veselit e Rexhep Selimit, pra të katër ish drejtuesve të UÇK-së, u përjetua si shembje e krenarisë, devijim i historisë, si një cunami emocional.
Në fakt, u shemb diçka te ne, në ne. U plandos një iluzion i madh për botën, për miqtë, për aleancat; u shemb një iluzion i perspektivës sonë.
E pra, lufta jonë çlirimtare për liri ishte e pastër si kristali, sepse ajo ishte kundër robërisë, kundër terrorit e gjenocidit të Serbisë, në asnjë mënyrë kundër civilëve serbë a të ndonjë komuniteti tjetër.
Protestat e qytetarëve që shpërthyen gjithandej janë solidaritet, janë identifikim dhe brengë se po njollose lufta e drejtë e UÇK-së e cila qe e vetmja, me organizim minimal e armatim të dobët, u përballë me forcat pushtuese të makinerisë shtetërore të Serbisë. Janë pakënaqësi se përse drejtësia nuk po vepron për mbi 13 mije civilët, gra, pleq e fëmijë të vrarë përmes dhjetëra masakrave gjithandej Kosovës.
Por ata nuk kanë forcën të bëjnë ndryshime në një çështje aq komplekse, veçse po çojnë sinjale të fuqishme për këtë. Sinjalet i drejtohen politikës, qeverisë. Rruga mundet vetëm të çojë mesazhe, por shteti është ai që mund të veprojë.
Gjithandej jepen ide se si të veprohet, si duhet bashkuar, çka duhet ndërmarrë. Disa me qëndrime radikale, disa të moderuar. Kjo tregon se më të ndërgjegjshmit janë zgjuar nga letargjia. Mirë shumë. Duket sikur u zbulua shkopi magjik që të ndryshojmë gjendjen. Për fat të keq, në realitet, nuk ka shkop magjik. Dhe gjendja nuk ndryshohet vetëm pse e thotë sekush.
Që të ndodhë ndryshimi real, duhet krijuar kondita paraprakisht.
Çdo ndryshim duhet të nisë para së gjithash nga politikanët, vetëm këta e kanë kapacitetin për të trasuar rrugën me një busull sipas interesit të shtetit. Për të arritur këtu, duhet një ndryshim në veten e vet të atyre që kanë përgjegjësi: të reflektojnë, ta shohin realitetin e ri, të tejkalojnë qasjet e veta të ngushta, t’i lënë anash inatet banale e luftërat për interesa meskine. Kështu, sikurse kemi vepruar deri më tash realisht nuk bëjmë asgjë në funksion të asaj çka duhet e çka lypset as për UÇK-në, e madje as për vetë shtetin.
Për shembull, askush nuk mundet t’i thotë kryeministrit Kurti bëj kështu e bëj ashtu, qoftë si individ, si parti apo si lider. Ai ka fituar zgjedhjet si askush deri më sot me 51%, pra e ka mandatin jashtëzakonisht të fuqishëm nga elektorati për të drejtuar shtetin. Dhe ai, si askush tjetër, e ka përgjegjësinë, sigurisht – po qe se mbështetet nga të gjitha partitë shqiptare. Nëse kjo nuk kuptohet dhe nuk pranohet me konstruktivitet, atëherë zhurmë mund të bëhet, porse nuk mund të shkohet më tutje. Këtu duhet të nis reflektimi dhe ndryshimi i qasjes drejt një kualiteti të ri.
Katër ish-liderët e UÇK-së që u dënuan në Hagë duhet të jenë kambana e alarmit për t’i na zgjuar në ndërgjegje politikanët, jo vetëm për ta, po mbi të gjitha për shtetin tonë, për lirinë tonë. Lufta dhe grindjet inatçore mes partive politike sjellin vetëm dëm. Qe dy vjet – ne e pengojmë veten tonë për të krijuar organet e pushtetit. Ky nuk është interes i shtetit, përkundrazi – është dobësim i tij.
Nëse njëmend i ka zgjuar politikanët 16 shtatori, atëherë duhet të reflektojnë thellë, për hir të lirisë, të shtetit, të së ardhmes sonë.
Liderët e partive duhet të tregohen të guximshëm, vizionarë dhe të kuptojnë se interesat e shtetit mund të sendërtohen vetëm përmes një diskursi racional (sipas Jürgen Habermasit), që i mbivendoset interesave të ngushta partiake. Po qe se është kuptuar serioziteti i situatës, se ne jemi përgjegjës për politikëbërien tonë dhe se vetëm me konstruktivitet reciprok mund të shtojmë fuqinë dhe efikasitetin e veprimit të shtetit, atëherë duhet të bëhet hapi i duhur, i vetmi i drejtë në këto rrethana. Në Kuvendin e Republikës së Kosovës të votohet presidenti. Këtë duhet ta bëjnë të gjitha partitë, po sidomos PDK-ja. Kështu, do të përcaktohej një kurs i ri parlamentar dhe demokratik i establishmentit politik. Le t’i bartet tërësisht përgjegjësia, atij që ia ka besuar elektorati.
Përtej euforisë, lidhur me Gjykatën Speciale në Hagë, duhet një qasje e ekuilibruar. Inicimi i ndërmarrjeve të pamatura, mund të ketë efekte të kundërta. Për të përcaktuar veprimet e drejta, që njëmend janë efikase, duhet ekspertiza e ekspertëve të mirënjohur ndërkombëtar, duhet lobim në SHBA, në Gjermani, në Britaninë e Madhe dhe po aq në BE. Kjo mund të bëhet vetëm me angazhimin e shtetit, të qeverisë me të gjitha resurset në dispozicion. Për hir të interesave madhore kryeministri Kurti do ta bënte punën e duhur. Jam i bindur se ka mënyra efikase, vetëm se duhet detektuar ato. Këtë duhet ta kemi mësuar nga gabimet e deritashme.
Ideja se jemi tradhtuar nga perëndimorët, sidomos nga SHBA, nuk guxon ta dominojë mendimin politik shqiptar. Ne nuk kemi dhe nuk mund të kemi perspektivë tjetër, në botën e tashme, përveç se me Perëndimin. Por ne duhet të dimë si t’i qasemi perëndimit. Duhet ta njohim filozofinë politike dhe sistemin e të menduarit të tyre, t’i përvetësojmë dhe të sillemi në atë frymë. Nuk mund të jemi properëndimor e njëkohësisht të rezonojmë në mënyrë ballkanase! Në Perëndim, si në gjithë botën, nuk ka raporte dashurie e aleancash mirëbërësie midis shtetesh: kjo po tregohet shumë qartë tash në raportet SHBA-BE dhe Kanada. Në të vërtetë, ka raporte interesash, të shteteve. Ato i vendosin relacionet, aleancat, kontestet, gjeopolitikat e madje edhe luftërat. Dhe shteti i Kosovës duhet ta identifikojë interesin e vet jetik, dhe atë ta ketë si busull për t’u orientuar në çdo rast, në çdo situatë e rrethanë dhe me secilin shtet, përfshirë vendet Euro-Atlantike. Po qe se politika e Kosovës dhe ajo shqiptare gjithandej do të dijë të manovrojë në konstelacionet sikurse janë këto të viteve të fundit kur po vendoset një rend i ri botëror, do të mund të mbrohen interesat kombëtare në mënyrë të maksimizuar. Nuk ka mbështetje blanko, ka raporte interesash dhe ne duhet t’i shquajmë kur ato ndryshojnë kah e ne të përcaktojmë kursin në favor të shtetit tonë.
Duke shikuar retroaktivisht, shquhen shumë qëndrime që nuk ishin të duhurat. Individët edhe mund të kenë ndonjë besim të tepruar e qëndrime të gabuara, që justifikohet me mungesë informacioni intern. Por institucionet, burrështetarët i kanë ose duhet t’i kenë të gjitha të dhënat, për ndryshimet, konstelacionet midis superfuqive, sepse kanë shërbimet e inteligjencës, rrjetin diplomatik, kontaktet me personalitet prej nga rrjedhin të dhëna. Këta nuk duhet gabojnë. Thjesht, nuk guxojnë! Këshilltarët që angazhojnë duhet të jenë pikërisht për t’i dhënë pikëpamje alternative, këndvështrime dhe konsekuenca nga koniukturat dhe të japin ide konform tyre. Duket se këtu shumëçka nuk ka qenë si duhet. Misioni i institucioneve është që burrështetarët të mos i lënë të bien në lajthitje e gabime. Kjo paska qenë thembra e Akilit
Përtej zhgënjimit, emocioneve, ndjenjës së braktisjes, pabesisë së aleatëve, mashtrimit, intrigave e prapaskenave, folklorizmit, mentalitetit provincisl – ne duhet të këndellemi. Duhet të ringjallemi si feniksi, veçse nga pluhuri i letargjisë sonë. T’i rishikojmë perceptimet tona: me sinqeritet, me besnikëri ndaj lirisë, me busullën e shtetit, i cili ende nuk është i njohur nga OKB dhe derisa është kjo gjendje rreziqet ekzistenciale janë si hiena që presin të na gllabërojnë.
Është momentumi kur duhet ndryshuar fryma e komunikimit tonë, e respektit pa kushte të interesit shtetëror, fuqizimit të pozitës sonë ndërkombëtare kundrejt gjeopolitikave në ndryshim e sipër, që të jemi me tërë potencialin në funksion të shtetit, të pavarësisë dhe të lirisë sonë. Të kujtojmë se Serbia provoi më 2023 ushtarakisht ta riokuponte veriun e Kosovës, por me një koordinim të mirë me aleatët – u parandalua në sprovën e parë. Kjo është tregues se lufta me Serbinë ka mbaruar vetëm ushtarakisht, por ajo vazhdon në terrenin politik, diplomatik e gjeopolitik. Nuk e kemi komoditetin që ta injorojmë këtë gjendje, kur ajo është rrezik konstant ndaj ekzistencës sonë si shtet po edhe si shqiptarë: para pak javësh u ripohua synimi për shfarosjen tonë nga kabineti qeveritar i Serbisë.
Ka shumë për t’u thënë, porse po e përmbledhë. Po qe se ne do të kemi vetëdijen kombëtare që të ndryshojmë diskursin politik midis partive, politikanëve, ky do të ishte çelësi i ndryshimit kualitativ për të sotmen e të ardhmen e Kosovës. Ky do të ishte shërbimi më i mirë ndaj atdheut, kombit, shtetit e të lirisë sonë.

Po qe se këtë do ta bëjmë në mënyrën e duhur, më të mirën të mundshme, atëherë do të tregonim se kemi nxjerrë mësimet e duhura nga 16 shtatori.
Kombi shqiptar po i fton politikanët në krye të detyrës.
A po e dëgjojnë!?

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, ka pritur në…