Propozimi i PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Specialen, Rrahmani shpjegon çfarë synon nisma
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Eman Rrahmani, ka dhënë detaje rreth nismës së PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
PDK-ja ka dorëzuar të hënën në Kuvend projektligjin për plotësim-ndryshimin e ligjit që rregullon funksionimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Duke folur në emisionin “Kosova Today” të “Klan Kosovës”, Rrahmani ka deklaruar se iniciativa nuk synon mbylljen e Gjykatës Speciale.
“E para, nuk po kërkojmë që Gjykata Speciale të zhbëhet”, ka thënë ai.
Sipas Rrahmanit, ndryshimet e propozuara synojnë që procesi të vazhdojë në Dhomën e Apelit, por të parashohin një mekanizëm tjetër për fazat pasuese.
Ai ka bërë të ditur se PDK-ja po kërkon që, nëse Apeli vendos për rigjykim, çështja të mos rikthehet te Dhomat e Specializuara, por të shqyrtohet nga Gjykata e Apelit në Kosovë.
“Ligjin tash që e kemi iniciu, i mundëson që nëse Apeli e kthen në rigjykim, nuk rikthehet te Dhomat e Specializuara të Kosovës, por në Gjykatën e Apelit në Kosovë”, ka deklaruar Rrahmani.
Sipas tij, projektligji parashikon ndryshim të forumit gjyqësor edhe në rast të një ankese të mëtejshme.
“Nëse Apeli nuk e kundërshton vendimin e shkallës së parë, atëherë ankimimi në Supreme kalon në Gjykatën Supreme në Kosovë”, ka thënë ai.
Rrahmani e ka lidhur nismën edhe me pretendimet mbi të cilat ishte themeluar Gjykata Speciale, duke iu referuar raportit të Dick Martyt.
Ai ka theksuar se PDK-ja synon që fillimisht t’i jepet mundësia procesit të Apelit në Hagë, përpara se të aktivizohen mekanizmat e propozuar në Kosovë.



