Europoli arreston tre persona në Serbi dhe Gjermani, dyshohen për kontrabandë me emigrantë
Europoli ka njoftuar se ka arrestuar tre persona të dyshuar si pjesë e rrjeteve siriane të kontrabandës me emigrantë, në një operacion të zhvilluar në Gjermani dhe Serbi.
Sipas njoftimit të Europolit, hetuesit kanë vënë në shënjestër anëtarë të dy rrjeteve kriminale siriane të ndërlidhura, të cilat dyshohet se kanë organizuar kontrabandën e më shumë se 900 emigrantëve drejt Bashkimit Evropian.
Në mesin e të arrestuarve janë një shtetas sirian 26-vjeçar në Gjermani dhe dy persona të dyshuar në Beograd, përfshirë një sirian 31-vjeçar.
“Hetuesit vunë në shënjestër anëtarë të lartë të dy rrjeteve kriminale siriane të ndërlidhura që besohet se kanë organizuar kontrabandën e më shumë se 900 emigrantëve në Bashkimin Evropian”, thuhet në deklaratën e Europolit.
Autoritetet dyshojnë se këto rrjete kanë organizuar transportimin e emigrantëve drejt Evropës që nga viti 2022, përmes rrugëve detare nga Libia dhe korridorit ballkanik.
Operacioni është zhvilluar në një kohë kur vendet evropiane po përballen me presion të shtuar nga lëvizjet e paligjshme të emigrantëve dhe sfidat e menaxhimit të kufijve.



