Eurostat: Një në gjashtë persona në BE konsumon duhan
Në vitin 2025, 16.5 për qind e personave mbi moshën 16-vjeçare në Bashkimin Evropian (BE) përdornin çdo ditë duhan ose produkte të lidhura me nikotinën, si cigaret elektronike, qeskat me nikotinë apo produktet e duhanit të ngrohur. Sipas të dhënave të Eurostatit, kjo paraqet një rënie të lehtë krahasuar me vitin 2022, kur përqindja e përdoruesve të përditshëm ishte 17.5 për qind.
Ndërkohë, 77.5 për qind e qytetarëve të BE-së kanë deklaruar se nuk përdorin këto produkte ose nuk i kanë përdorur gjatë 12 muajve para mbledhjes së të dhënave.
Përdorimi i përditshëm i duhanit dhe produkteve të ngjashme vazhdon të jetë më i lartë te burrat. Sipas Eurostatit, 20.8 për qind e burrave konsumojnë çdo ditë këto produkte, krahasuar me 12.6 për qind të grave. Edhe këto shifra kanë shënuar rënie nga viti 2022, kur përqindja ishte 22.2 për qind te burrat dhe 13.1 për qind te gratë.
Sa i përket grupmoshave, përdorimi më i lartë është regjistruar te personat 35-49 vjeç, me 21.3 për qind. Pas tyre renditen grupmosha 25-34 vjeç me 19.9 për qind dhe ajo 50-64 vjeç me 19.8 për qind.
Përqindjet më të ulëta janë regjistruar te të rinjtë 16-24 vjeç, me 12.1 për qind, si dhe te personat mbi 65 vjeç, me 9.1 për qind. Në nivel vendesh, Bullgaria ka përqindjen më të lartë të përdoruesve të përditshëm të duhanit dhe produkteve me nikotinë, me 26.3 për qind. Pas saj renditen Suedia me 23.9 për qind dhe Kroacia me 23.6 për qind. Në anën tjetër, Holanda ka regjistruar nivelin më të ulët të përdorimit të përditshëm, me 9.9 për qind, e ndjekur nga Irlanda me 11.7 për qind, Belgjika me 13.6 për qind dhe Luksemburgu me 13.8 për qind. Nga viti 2022 deri në vitin 2025, në 17 shtete anëtare të BE-së është shënuar ulje e përdorimit të përditshëm të duhanit dhe produkteve të ngjashme. Rëniet më të mëdha janë regjistruar në Spanjë dhe Luksemburg, me nga 2.1 pikë përqindjeje.
Ndërkohë, rritjet më të mëdha janë shënuar në Kroaci dhe Lituani, me nga 2.7 pikë përqindjeje.



