Italia vendos 27 qytetet kryesore në nivelin më të lartë të alarmit për të nxehtin
Italia do t’i vendosë të gjitha 27 qytetet e saj kryesore, nga Trieste në veri deri në Palermo në jug, në nivelin më të lartë të alarmit për të nxehtin, ndërsa vala e katërt e të nxehtit këtë verë po intensifikohet.
Alarmi i kuq nënkupton rrezik të shtuar për shëndetin e të gjithë popullsisë për shkak të temperaturave ekstreme dhe të zgjatura, duke rritur mundësinë e situatave emergjente.
Ministria italiane e Shëndetësisë ka njoftuar se 25 qytete ishin nën alarm të kuq të mërkurën, ndërsa dy të tjera i janë shtuar listës të enjten. Kjo është hera e parë këtë vit që të gjitha 27 qytetet e monitoruara nga sistemi i mbikëqyrjes së valëve të të nxehtit vendosen në nivelin maksimal të alarmit. Temperaturat në disa zona të Italisë janë afruar pranë 40 gradë celsius ditët e fundit. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin e drejtpërdrejtë në diell nga ora 11:00 deri në 18:00, të qëndrojnë në ambiente të mbyllura sa herë që është e mundur dhe të konsumojnë të paktën 1.5 litra ujë në ditë.
Po ashtu, rekomandohet shmangia e pijeve të gazuara, kafesë, alkoolit dhe vakteve të rënda, veshja me rroba të lehta dhe moslënia e fëmijëve apo kafshëve brenda automjeteve. Sipas shkencëtarëve, kjo valë ekstreme e të nxehtit, e nxitur nga ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor, nuk pritet të zbutet për të paktën edhe një javë. Evropa është ngrohur rreth dy herë më shpejt se mesatarja globale.



