Infantino mbetet në krye të FIFA-s, kërkon falje për “gabimet” në planin për investime private

06 gusht 2026 | 12:33

Gianni Infantino do të vazhdojë të jetë president i FIFA-s, pasi ka marrë mbështetjen e drejtuesve të lartë të organizatës, pavarësisht kritikave të shumta ndaj planit të tij për shitjen e aksioneve të garave te investitorët privatë.

Infantino ka kërkuar falje për “gabimet” e bëra në këtë proces, gjatë një takimi të bordit drejtues të FIFA-s në zyrën e organizatës për Afrikë në Rabat të Marokut. Katër orë pas përfundimit të takimit, FIFA ka publikuar një deklaratë ku konfirmoi mbështetjen për kreun e saj.

Kritikat ndaj Infantinos ishin rritur pas anulimit të propozimit për investime private në turnetë e FIFA-s. UEFA kishte deklaruar se kishte humbur besimin te presidenti i FIFA-s, duke e cilësuar propozimin si një “marrëveshje të mjerë, të fshehtë dhe të errët”.

Kundërshtime ndaj këtij plani pati edhe brenda FIFA-s, përfshirë sekretarin e përgjithshëm Mattias Grafstrom, i cili mori pjesë në takimin në Marok. Megjithatë, pas mbledhjes, Grafstrom dhe bordi drejtues “riafirmuan mbështetjen e tyre të plotë” për Infantinon si president.

Infantino dhe Grafstrom u kanë dërguar një letër nënkryetarëve të FIFA-s, këshillit dhe 211 federatave anëtare, ku kanë kërkuar falje për gabimet dhe janë zotuar që ato të mos përsëriten. “Ne kërkojmë ndjesë sinqerisht për gabimet tona dhe angazhohemi që ato të mos ndodhin përsëri”, është thënë në letrën e tyre.

Sipas raportimeve, Infantino u kishte premtuar federatave kombëtare nga 40 milionë dollarë nëse do të mbështesnin propozimin për investime private në garat e FIFA-s, përfshirë Kupën e Botës. Ky plan do të realizohej përmes një strukture të re të quajtur FFE.

FIFA ka pranuar se janë bërë gabime në lidhje me këtë proces, duke theksuar se federatat anëtare dhe Këshilli i FIFA-s nuk është dashur të ndiheshin të përjashtuara nga vendimmarrja.

Pavarësisht kësaj, FIFA ka deklaruar se procesi është zhvilluar në përputhje me kuadrin rregullator të organizatës dhe ka paralajmëruar se do të mbrojë integritetin dhe reputacionin e saj.

Kritikat ndaj Infantinos kanë vazhduar edhe pas mbështetjes së marrë nga drejtuesit e FIFA-s. Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, ka deklaruar se nuk ka më besim te ai, ndërsa ish-futbollisti portugez Luis Figo i ka bërë thirrje për dorëheqje.

Megjithatë, Infantino pritet të kandidojë për një mandat të katërt në krye të FIFA-s. Zgjedhjet do të mbahen në mars në Marok, ndërsa kandidatët potencialë kanë afat deri më 18 nëntor për të paraqitur kandidaturat.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Eugen Cakolli nga KDI ka komentuar ndërprerjen e seancës konstituive…