Zbulohet skema sesi dy persona hakeruan Raiffeisen Bank duke i marrë 200 mijë euro klientëve

06 gusht 2026 | 22:16

Një javë më parë, më 29 korrik, kur të gjithë bënin gati çantat e plazhit, dy përfaqësues të Raiffeisen Bank trokitën në zyrat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Arsyeja ishte depozitimi i një kallëzimi për mashtrim. Bankën e kishin sulmuar. Jo me armë, jo me maska, jo nga punonjësit e saj, por nga 40 hajdutë që kishin përfituar nga një “deri?kë” e sistemit të saj të pagesave.

Më shumë se 40 klientë të çuditshëm rezultonin se kishin tërhequr herë pas here shuma të vogla parash, më së shumti nga 100 euro, kur nuk kishin fare depozita apo llogari të mbushura me para. Së bashku, në kohë të ndryshme, ata i kishin marrë bankës një “thes” të vogël me rreth 200 mijë euro. Por kaq janë denoncuar, se thesi mund të jetë më i madh.

Si tërhiqen para kur s’ke asgjë në llogari?

Për këtë kishte menduar inxhinieri Redjon Zaçi, një djalë i apasionuar pas elektronikës dhe programimit. Si i dyshuari kryesor, Zaçi kishte vënë re një anomali thuajse të pabesueshme. Në orët e vona të natës, sistemi i Raiffeisen “flinte” bashkë me punonjësit. Në këto orë ti mund të bëje transferta online brenda llogarive ose nga karta në kartë, duke përdorur aplikacionet e bankës, ndërsa ato të përgjigjeshin pa të pyetur nëse kishe apo s’kishe para.

Në dy orë të caktuara rreth mesnatës, “Ali Baba” zbuloi se po të transferoje para nga një llogari te disa të tjera, sistemi nuk të thoshte “jo”. Paratë mund të tërhiqeshin nga personat që u shfaqeshin këto transferime, ndërsa llogaria që kishte bërë “dhuratat” shihej vetëm kohë më pas se ky veprim ishte kryer. E gjitha një anomali elektronike e platformës digjitale të Raiffeisen Bank në Shqipëri.

Këtë të metë, Redjon Zaçi e kishte diskutuar si “pa të keq” me një shokun e tij, Eglind Mançja, edhe ky djalë i shkathët që e njihte goxha mirë sistemin bankar, pasi kishte punuar për mikrofinancën Kredo.al.

Për të mos rënë në sy, duhej të zhvateshin shuma të vogla që dërgoheshin nga një llogari në dhjetra të tjera të ndryshme. Për këtë mendoi Mançja, që kishte gati “qelizat” e mikrokredive, me njerëz që nuk e kishin problem të dorëzonin kartat e identitetit për të hapur llogari banke kundrejt një shpërblimi të vogël. Nëse në llogari shfaqeshin 400 euro, 100 i merrte ai që bënte tërheqjen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka deklaruar se partitë…