Samsung prezanton zyrtarisht Galaxy Z Fold8 Ultra, Galaxy Z Fold8, Galaxy Z Flip8, Galaxy Watch Ultra2 dhe Galaxy Watch9

07 gusht 2026 | 11:51

Seria krejtësisht e re Galaxy Z hap një kapitull të ri në botën e pajisjeve të palosshme, duke ofruar tri përvoja të ndryshme të krijuara për produktivitet të jashtëzakonshëm, eksplorim pa kufij dhe vetëshprehje, ndërsa pajisjet e reja të serisë Galaxy Watch sjellin njohuri më të thelluara për shëndetin

Samsung Electronics njoftoi sot se seria e re Galaxy Z dhe linja e orëve inteligjente Galaxy Watch kanë nisur zyrtarisht të jenë të disponueshme në tregjet globale. Modelet Galaxy Z Fold8 Ultra, Galaxy Z Fold8, Galaxy Z Flip8, Galaxy Watch Ultra2 dhe Galaxy Watch9 do të jenë të disponueshme përmes operatorëve celularë, partnerëve të shitjes me pakicë, në Samsung.com dhe në dyqanet Samsung Experience, ndërsa shitja fillon më 7 gusht në tregje të përzgjedhura, me zgjerim të mëvonshëm në mbarë botën.

Interesi i lartë që në fazën e hershme pasqyron entuziazmin në rritje të konsumatorëve për serinë më të re Samsung Galaxy Z, pasi porositë paraprake për linjën e re janë rritur me më shumë se 30% krahasuar me gjeneratën e mëparshme. Grafit ishte ngjyra më e preferuar për modelet Galaxy Z Fold8 Ultra dhe Galaxy Z Fold8, ndërsa ngjyra rozë kryesoi në porositë paraprake për Galaxy Z Flip8.

Seria e re Galaxy Z: Tri përvoja të ndryshme me pajisjet e palosshme

E ndërtuar mbi shtatë gjenerata inovacionesh në teknologjinë e pajisjeve të palosshme dhe bazuar në komentet e përdoruesve, seria e re Galaxy Z ofron më shumë zgjedhje se kurrë më parë, me tri përvoja të ndryshme të përshtatura për nevoja të ndryshme.

Galaxy Z Fold8 sjell një dizajn të ri, të krijuar sipas mënyrës se si njerëzit eksplorojnë, zbulojnë dhe shijojnë përmbajtjen e tyre të preferuar. Raportet e ekranit janë optimizuar për të shoqëruar përdoruesit gjatë gjithë ditës, nga veprime të shpejta si dërgimi i mesazheve, shfletimi i internetit dhe shikimi i videove të shkurtra në ekranin e jashtëm më të gjerë, deri te leximi, puna dhe lojërat në ekranin kryesor me raport 4:3.

Me Gemini Notebook, përdoruesit mund të mbledhin në një vend shënime, fotografi, regjistrime, skedarë dhe dokumente për të organizuar dhe zhvilluar idetë e tyre. Me peshë vetëm 201 g, ky është Galaxy Z Fold më i lehtë i Samsung deri më sot, ndërsa teknologjia e re Flex Titanium ndihmon në ruajtjen e një strukture më të hollë të ekranit, duke ofruar qëndrueshmëri afatgjatë dhe duke reduktuar dukshmërinë e palosjes me kalimin e kohës.

Galaxy Z Fold8 Ultra sjell standardin e njohur Samsung Ultra në kategorinë e pajisjeve të palosshme, duke kombinuar një hapësirë më të madhe pune me një sistem kamerash të avancuar dhe performancë të krijuar për procese krijuese profesionale. Ekrani i tij kryesor prej 8 inçësh ofron më shumë hapësirë për punë me disa aplikacione njëkohësisht, ndërsa funksioni Now Nudge[1] i ndihmon përdoruesit të kalojnë nga planifikimi në veprim, duke sugjeruar hapat e ardhshëm më të përshtatshëm në aplikacionet e mbështetura.

Kamera kryesore 200 MP tani mbështet teknologjinë HDR edhe në modalitetin 200 MP, duke ofruar më shumë detaje, ngjyra më të pasura dhe qartësi më të lartë të imazhit. Kamera e re ultra e gjerë 50 MP siguron fleksibilitet më të madh për fotografi me kënd të gjerë dhe makro, duke u mundësuar përdoruesve të kapin më shumë me një pajisje të vetme. Në modelet Galaxy Z Fold8 Ultra, Galaxy Z Fold8 dhe Galaxy Z Flip8, funksioni Dual Recording regjistron njëkohësisht skenën dhe reagimin e përdoruesit, ndërsa My FanCam[2] ndjek dhe rikompozon automatikisht subjektin e përzgjedhur.

Galaxy Z Fold8 Ultra dallohet gjithashtu me baterinë 5.000 mAh[3], karikimin e shpejtë 45 W dhe sistemin e zgjeruar të ftohjes me grafit, të gjitha të integruara në dizajnin më të hollë ndonjëherë të një modeli Galaxy Z Fold, vetëm 4,1 mm i trashë kur është i hapur dhe me peshë 215 g.

Galaxy Z Flip8, pajisja më elegante Galaxy Flip e Samsung deri më sot, është krijuar për vetëshprehje dhe ndërveprim të shpejtë në lëvizje. Ekrani i ridizajnuar FlexWindow sjell aplikacionet, informacionet, veprimet dhe ndihmën inteligjente direkt në ekranin e jashtëm. Funksioni Now Brief[4] shfaq informacione të personalizuara bazuar në orarin, zakonet e përditshme dhe interesat e përdoruesit.

Përdoruesit mund të aksesojnë gjithashtu asistentin AI Gemini drejtpërdrejt nga FlexWindow, përmes butonit anësor ose komandave zanore, duke e bërë më të lehtë kryerjen e veprimeve edhe gjatë lëvizjes. Galaxy Z Flip8 përmirëson më tej eksperiencën karakteristike të kamerës Samsung Flip me një kamerë 50 MP, teknologjinë ProVisual Engine dhe funksionet FlexCam, të cilat e bëjnë më të thjeshtë fotografimin, shikimin dhe ndarjen e fotografive dhe videove të redaktuara nga kënde të ndryshme fleksibile.

Galaxy Watch Ultra2 dhe Galaxy Watch9: Menaxhim i thjeshtë i shëndetit nga kyçi i dorës

Galaxy Watch Ultra2 dhe Galaxy Watch9 zgjerojnë eksperiencën Galaxy edhe në kyçin e dorës, duke i ndihmuar përdoruesit të transformojnë të dhënat e përditshme për shëndetin në këshilla më kuptimplota dhe praktike, falë një përdorimi të lehtë gjatë gjithë ditës. Të dyja pajisjet mundësohen nga platforma Snapdragon Wear® Elite dhe janë krijuar për të mbështetur monitorimin e vazhdueshëm të shëndetit, duke ofruar performancë më të lartë, komoditet më të madh dhe jetëgjatësi më të mirë të baterisë.

Galaxy Watch Ultra2 është krijuar për aventura në natyrë dhe për përdoruesit aktivë që kërkojnë qëndrueshmëri afatgjatë, besueshmëri dhe monitorim të saktë. Ai vjen në madhësinë 47 mm, ka bateri me kapacitet 800 mAh[5], ekran me ndriçim deri në 5.000 nit, një kasë titani rezistente ndaj goditjeve dhe mënyra të dedikuara për monitorimin e sporteve në natyrë, përfshirë Trail Run[6] për vrapim në terrene të pabarabarta. Gjithashtu, pajisja është e certifikuar me standardet IP69K, 10 ATM dhe normën EN 13319[7].

Galaxy Watch9 është krijuar si një shoqërues i përditshëm për shëndetin, për përdoruesit që kujdesen për mirëqenien e tyre dhe dëshirojnë të ndërtojnë zakone më të shëndetshme përmes monitorimit të vazhdueshëm të aktivitetit dhe gjumit. I disponueshëm në madhësitë 40 mm dhe 44 mm, Galaxy Watch9 ka një kasë të lehtë alumini, një dizajn të rehatshëm të përshtatur për përdorim 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, ekran me ndriçim deri në 3.000 nit dhe funksione të avancuara të shëndetit si Vitals[8], Heart Health Score[9], indeksi i kondicionit[10] Daily Cardio Load[11] dhe funksioni i mbrojtjes së dëgjimit (Hearing).

Me serinë e re Galaxy Z, pajisjet Galaxy Watch Ultra2 dhe Galaxy Watch9 zgjerojnë ekosistemin Samsung AI, duke sjellë eksperienca të ndërlidhura inteligjente mes telefonit inteligjent dhe kyçit të dorës.

Disponueshmëria

Duke filluar nga 7 gushti, modelet Galaxy Z Fold8 Ultra, Galaxy Z Fold8 dhe Galaxy Z Flip8 do të jenë të disponueshme përmes operatorëve celularë, partnerëve të shitjes me pakicë, në faqen Samsung.com dhe në dyqanet Samsung Experience në 106 tregje në mbarë botën, përfshirë edhe Shqipërinë.

Konsumatorët që blejnë një pajisje të re nga seria Galaxy Z do të përfitojnë një periudhë prove gjashtëmujore të shërbimit Google AI Pro, e cila përfshin 5 TB hapësirë ruajtjeje në cloud, me vlerë 100€. Përmes aksesit të zgjeruar në modelet e inteligjencës artificiale të Google, përdoruesit mund të përmirësojnë produktivitetin dhe kreativitetin e tyre në pajisjet e palosshme.

Kalimi në Galaxy është më i lehtë se kurrë falë transferimit më të thjeshtë të të dhënave në një gamë më të gjerë pajisjesh. Me aplikacionin e përditësuar Smart Switch, përdoruesit e iOS mund të skanojnë një kod QR në pajisjen e tyre aktuale dhe të transferojnë të dhënat me valë, pa pasur nevojë të shkarkojnë një aplikacion shtesë. Smart Switch gjithashtu mund të transferojë më shumë lloje të dhënash, përfshirë fjalëkalimet dhe çelësat e hyrjes (passkeys), historikun e thirrjeve, cilësimet e aksesueshmërisë dhe të dhënat eSIM, duke reduktuar kohën e nevojshme për konfigurimin e pajisjes së re. Falë përputhshmërisë së re mes funksioneve Quick Share dhe AirDrop, përdoruesit mund të shkëmbejnë lehtësisht skedarë në të dyja drejtimet mes pajisjeve iOS dhe Galaxy.

Galaxy Watch Ultra2 dhe Galaxy Watch9 gjithashtu do të jenë të disponueshme përmes operatorëve, dyqaneve, faqes Samsung.com dhe dyqaneve Samsung Experience në 106 tregje në mbarë botën, duke filluar nga 7 gushti.

Galaxy Z Fold8 Ultra, Galaxy Z Fold8 dhe Galaxy Z Flip8 do të jenë të disponueshme në ngjyrat grafit dhe kream, ndërsa ngjyra ekskluzive vjollcë e errët do të jetë e disponueshme për Galaxy Z Fold8 Ultra, lavendo për Galaxy Z Fold8 dhe Pink për Galaxy Z Flip8. Galaxy Watch Ultra2 vjen në madhësinë 47 mm, ndërsa Galaxy Watch9 është i disponueshëm në versionet 40 mm dhe 44 mm. Ngjyra, madhësia, opsionet e lidhjes, modeli dhe disponueshmëria mund të ndryshojnë në varësi të tregut, operatorit ose partnerit të shitjes me pakicë.

Përdoruesit e orëve Galaxy Watch Ultra2 dhe Galaxy Watch9 mund të përfitojnë gjithashtu nga një periudhë prove ekskluzive 60-ditore e shërbimit Strava Premium.

Për më shumë informacion mbi modelet Galaxy Z Fold8 Ultra, Galaxy Z Fold8, Galaxy Z Flip8, Galaxy Watch Ultra2 dhe Galaxy Watch9, vizitoni faqen samsung.com/al.

[1] Për përdorimin e funksionit Now Nudge kërkohet identifikimi në llogarinë Samsung. Funksionet dhe veçoritë e disponueshme mund të ndryshojnë në varësi të shtetit, rajonit dhe gjuhës. Sugjerimet për mesazhe me tekst janë të disponueshme përmes aplikacionit Samsung Messages dhe aplikacioneve të caktuara të palëve të treta për shkëmbimin e mesazheve, si Google Messages dhe Google Chat. Ndarja e fotografive brenda funksionit Now Nudge bazohet në analizën e përmbajtjes së disponueshme të fotografisë, ndaj saktësia e rezultateve nuk mund të garantohet.

[2] Për përdorimin e funksionit My FanCam kërkohet identifikimi në llogarinë Samsung. Disponueshmëria mund të ndryshojë në varësi të videos, ndërsa funksioni nuk mbështetet nëse nuk ka subjekt për t’u ndjekur. Saktësia e rezultateve nuk mund të garantohet.

[3] Tipik vlera është testuar në kushte laboratorike nga një palë e tretë. Vlera tipike paraqet vlerën mesatare të vlerësuar, duke marrë parasysh devijimet në kapacitetin e baterisë midis mostrave të testuara sipas standardit IEC 61960. Kapaciteti nominal i baterisë për modelin Galaxy Z Fold8 Ultra është 4854 mAh.

[4] Për përdorimin e funksionit Now Brief kërkohet identifikimi në llogarinë Samsung. Disponueshmëria e shërbimit mund të ndryshojë në varësi të shtetit, gjuhës, modelit të pajisjes dhe aplikacioneve. Disa funksione mund të kërkojnë lidhje me internetin.

[5] Vlera tipike është testuar në kushte laboratorike nga një palë e tretë. Vlera tipike paraqet vlerën mesatare të vlerësuar, duke marrë parasysh devijimet në kapacitetin e baterisë midis mostrave të testuara sipas standardit IEC 61960. Kapaciteti tipik është 800 mAh (që përfaqëson një rritje prej 35% krahasuar me modelin e mëparshëm Galaxy Watch Ultra). Jetëgjatësia aktuale e baterisë mund të ndryshojë në varësi të mjedisit të rrjetit, mënyrës së përdorimit dhe faktorëve të tjerë.

[6] Funksioni Trail Running është i disponueshëm në telefonat Android (Android 10 ose version më i ri) dhe kërkon aplikacionin Samsung Health (versioni 7.0 ose më i ri). Për përdorimin e tij kërkohet identifikimi në llogarinë Samsung. Shërbimi është i disponueshëm vetëm me orën inteligjente Galaxy Watch Ultra 2.

[7] Ora inteligjente Galaxy Watch Ultra2 ka klasifikim të rezistencës ndaj ujit deri në 100 metra, në përputhje me standardin ISO 22810. Testimi është kryer në ujë me 5% kripë dhe 4 ppm klor. Galaxy Watch Ultra2 është gjithashtu rezistente ndaj ujit me klasifikimin IPX8, bazuar në testime laboratorike për zhytje në ujë të ëmbël deri në thellësi 1,5 metra për një kohëzgjatje deri në 30 minuta, si dhe me klasifikimin IPX9K, bazuar në testime laboratorike për rezistencë ndaj rrymave të fuqishme të ujit. Galaxy Watch Ultra2 është e certifikuar sipas standardit EN13319, i cili zbatohet për instrumentet që matin thellësinë e ujit bazuar në presionin e ambientit dhe kohëzgjatjen e zhytjes në kushte të caktuara, siç përdoren nga zhytësit. Rezistenca ndaj ujit nuk është e përhershme dhe mund të ulet me kalimin e kohës. Nëse pajisja është ekspozuar ndaj ujit të detit, shpëlajeni me ujë të ëmbël dhe thajeni pas përdorimit. Për më shumë informacion, përfshirë udhëzimet për mirëmbajtjen dhe përdorimin, konsultoni manualin e përdorimit. Galaxy Watch Ultra2 është gjithashtu rezistente ndaj pluhurit me klasifikimin IP6X, bazuar në testime laboratorike të kryera nga një palë e tretë e pavarur. Gjatë testimit, 2 kg pluhur talku (me diametër maksimal të grimcave 0,05 mm) për metër kub janë fryrë në dhomën e testimit ku ndodhej pajisja (presioni i ajrit brenda pajisjes është mbajtur nën presionin e ajrit të ambientit) për 2 orë. Rezistenca ndaj pluhurit mund të ndryshojë në varësi të kushteve reale të përdorimit.

[8] Funksioni Vitals është i destinuar vetëm për qëllime të mirëqenies së përgjithshme dhe nuk është i projektuar për diagnostikimin ose trajtimin e ndonjë gjendjeje mjekësore. Nëse keni shqetësime për shëndetin tuaj, konsultohuni me një mjek. Për funksionimin e Vitals nevojiten të dhëna për gjumin e të paktën 7 netëve. Funksioni është i disponueshëm në telefonat Android (Android 10 ose version më i ri) me aplikacionin Samsung Health (versioni 7.00 ose më i ri). Për përdorimin e tij kërkohet identifikimi në llogarinë Samsung, si dhe mbajtja e orës Galaxy Watch gjatë gjumit.

[9] E disponueshme në modelet e ardhshme të orëve Galaxy Watch me ndërfaqen e përdoruesit One UI 9. Kërkon një telefon të pajtueshëm Samsung Galaxy, aplikacionin Samsung Health v7.0 dhe një llogari Samsung. Për konfigurimin fillestar, ora duhet të mbahet për 24 orë (duke përfshirë kohën gjatë zgjimit dhe gjumit). Funksionet softuerike për vlerësimin e shëndetit të zemrës (Heart Health Score) nuk janë të destinuara për përdorim në diagnostikimin e sëmundjeve ose gjendjeve të tjera, as për trajtimin, lehtësimin, menaxhimin ose parandalimin e tyre.

[10] Indeksi i kondicionit (Fitness Index) është i disponueshëm në telefonat Android (Android 11 ose version më i ri), me aplikacionin Samsung Health (versioni 7.0 ose më i ri) dhe One UI Watch 9.0 ose version më i ri. Kërkohet identifikimi në llogarinë Samsung dhe shërbimi është i disponueshëm vetëm në modelet Galaxy Watch7 ose më të reja. Për përdorimin e këtyre funksioneve, nevojitet të kryhet të paktën një matje e BIA dhe VO₂ Max, si dhe të ketë të dhëna aktiviteti dhe hapash të regjistruara për 2 ditë.

[11] Funksioni Daily Cardio Load është i disponueshëm në telefonat Android (Android 11 ose version më i ri) dhe kërkon aplikacionin Samsung Health (v7.0 ose më i ri) dhe One UI Watch 9.0 ose version më të ri. Kërkohet identifikimi në llogarinë Samsung dhe shërbimi është i disponueshëm vetëm në modelet Galaxy Watch7 ose më të reja. Për përdorimin e funksionit nevojiten të paktën 7 ditë regjistrim të aktivitetit, ndërsa për saktësi optimale rekomandohet mbajtja e orës në mënyrë të vazhdueshme për 28 ditë. Kini parasysh se vlerat mund të rriten në situata të përditshme kur rritet numri i rrahjeve të zemrës, si gjatë tensionit, ankthit ose stresit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Matt Damon ka rrëfyer se, pavarësisht suksesit të madh të…