Kush ishin Popujt e Detit? Misteri i fiseve mesdhetare që i shpallën luftë Egjiptit të lashtë dhe terrorizuan mbretëritë e Mesdheut

08 gusht 2026 | 17:03

Egjiptologët kanë zbuluar mbishkrime me hieroglife që përshkruajnë betejat e faraonëve kundër fiseve të frikshme që mbërritën me anije. Megjithatë, edhe sot studiuesit vazhdojnë të përpiqen të zbulojnë identitetin e vërtetë të këtyre sulmuesve vdekjeprurës.

Në shekullin XII p.e.s., qytetërimet e Epokës së Bronzit nisën të shembeshin njëri pas tjetrit.

Perandoria Hitite, mbretëritë mikenase dhe shtetet amorite u rrëzuan plotësisht, ndërsa Egjipti dhe Asiria u dobësuan ndjeshëm. Çfarë e shkaktoi këtë kolaps? Arsyet janë të shumta, por historianët besojnë se një nga faktorët ishte shfaqja e “Popujve të Detit”, fise misterioze dhe të dhunshme që sulmonin mbretëritë në të gjithë Mesdheun.

Në territorin e Sirisë së sotme, një mbret shkroi për armiq që kishin djegur qytete dhe kishin bërë “vepra të liga në vendin tim”. Në Egjipt, burimet e lashta përmendin pushtues që “erdhën nga deti me anijet e tyre të luftës dhe askush nuk mund t’u bënte ballë”.

Kush ishin Popujt e Detit? Misteri i fiseve mesdhetare që i shpallën

Popujt e Detit të marrë robër nga Ramsesi III, siç shihet në një reliev në tempullin e Medinet Habu-së.

Pra, kush ishin Popujt e Detit? Ata lanë një gjurmë të thellë në botën e lashtë. Megjithatë, identiteti i tyre mbetet një nga misteret më të mëdha historike dhe studiuesit vazhdojnë të debatojnë për origjinën e tyre.

Kush ishin Popujt e Detit?

Termi “Popujt e Detit” (peuples de la mer) u përdor për herë të parë nga egjiptologët francezë të shekullit XIX. Por historia e tyre fillon shumë më herët.

Burime të shekujve XIII dhe XII p.e.s. përshkruajnë disa sulme të kryera nga këta luftëtarë që lundronin nëpër dete. Ata goditën Egjiptin, Perandorinë Hitite, Levantin dhe zona të tjera të Mesdheut. Dokumentet e lashta i përmendin me emra të ndryshëm, si Denyen, Ekwesh, Lukka, Peleset, Shekelesh, Sherden, Teresh dhe Weshesh.

Edhe sot askush nuk e di me siguri se kush ishin Popujt e Detit. Emri i tyre vjen nga burimet e lashta që i përshkruajnë si njerëz “nga deti” ose “nga ishujt”, por pa treguar se për cilin det apo cilët ishuj bëhej fjalë.

Megjithatë, historianët kanë ngritur disa teori. Ata mund të kenë ardhur nga Azia e Vogël perëndimore, rajoni i Egjeut, ishujt e Mesdheut ose Europa Jugore. Mund të kenë qenë etruskë, trojanë, italikë, filistinë, mikenas ose minoas. Ka të ngjarë që ndryshimet mjedisore, si thatësirat e gjata, t’i kenë detyruar të shpërnguleshin drejt Mesdheut.

Në disa burime ata përmenden si aleatë, në të tjera si mercenarë. Megjithatë, më shpesh përshkruhen si armiq. Është interesante se ata ngjanin më shumë me popullsi në lëvizje sesa me ushtri pushtuese, pasi anijet e tyre thuhet se transportonin gra, fëmijë dhe sende shtëpiake, sikur synonin të vendoseshin përgjithmonë në territore të reja.

Cilido qoftë identiteti i tyre, ndikimi i tyre në historinë e lashtë ishte i jashtëzakonshëm. Burimet e kohës i përshkruajnë sulmet e tyre si të papritura, befasuese dhe shkatërrimtare.

Kush ishin Popujt e Detit? Misteri i fiseve mesdhetare që i shpallën

Një hartë e botës së lashtë që tregon një numër perandorish që u sulmuan nga Popujt e Detit, duke përfshirë egjiptianët, hititët dhe asirianët.

“Askush nuk mund t’u bënte ballë”

Pjesa më e madhe e njohurive tona për Popujt e Detit vjen nga burimet egjiptiane, veçanërisht ato të shkruara gjatë mbretërimit të Ramzesit II (1279–1213 p.e.s.), Merneptahut (1213–1203 p.e.s.) dhe Ramzesit III (1186–1155 p.e.s.).

Një mbishkrim nga koha e Ramsesit II përmend betejën e vitit 1274 p.e.s. midis egjiptianëve dhe hititëve, ku Popujt e Detit përshkruhen njëkohësisht si aleatë të hititëve dhe mercenarë në shërbim të Egjiptit. Një burim tjetër tregon se ata lundruan drejt deltës së Nilit, por u përballën me ushtrinë e Ramzesit II. Siç shkruan Kenneth Kitchen në librin Pharaoh Triumphant: The Life and Times of Ramses II, kjo betejë u përjetësua më vonë në Stelën II të Tanisit, ku thuhet:

“Sherdenët e pabindur, të cilët askush nuk kishte ditur ndonjëherë si t’i mposhtte, erdhën me guxim duke lundruar me anijet e tyre të luftës nga mesi i detit dhe askush nuk ishte në gjendje t’u rezistonte.”

Kush ishin Popujt e Detit? Misteri i fiseve mesdhetare që i shpallën

Një vizatim i Ramsesit II me armiq të pushtuar. Ai i shpartalloi Popujt e Detit gjatë një beteje, por ata do të ktheheshin për të sfiduar pasardhësit e tij.

Ramsesi II e neutralizoi kërcënimin dhe madje rekrutoi një pjesë të Sherdenëve në ushtrinë e tij. Megjithatë, Popujt e Detit vazhduan të shqetësonin pasardhësit e tij. Gjatë mbretërimit të Merneptahut, ata u bashkuan me libianët. Egjiptianët shkruanin se ata vinin “nga detet në veri” dhe i quanin Ekwesh, Teresh, Lukka, Sherden dhe Shekelesh.

Merneptahu arriti t’i mposhtte bindshëm dhe e përjetësoi këtë fitore në muret e kompleksit të tempujve të Karnakut dhe në tempullin e tij mortor në Tebë. Sipas një përkthimi të egjiptologut Mohamed Raafat Abbas, Himni i Triumfit i gdhendur nga faraoni përfundon me fjalët:

“Çdokush që udhëton është nënshtruar nga Mbreti i Egjiptit të Sipërm dhe të Poshtëm.”

Megjithatë, sulmet e Popujve të Detit vazhduan edhe gjatë mbretërimit të pasardhësit të tij, Ramzesit III. Një prej tyre, rreth vitit 1175 p.e.s., si edhe fitorja e egjiptianëve, u gdhend në muret e Medinet Habu, tempullit mortor të faraonit.

Sipas Institutit Oriental të Universitetit të Çikagos, mbishkrimi thotë:”Vendet veriore, që ndodheshin në ishujt e tyre, dridheshin nga frika. Ata depërtuan në grykëderdhjet e Nilit. Fryma u ishte shuar dhe dëshira e vetme ishte të merrnin frymë. Madhëria e tij u hodh mbi ta si një stuhi, duke luftuar në fushën e betejës si një vrapues. Frika dhe tmerri prej tij pushtuan trupat e tyre; ata u përmbysën dhe u shkatërruan në vendet ku ndodheshin… Armët e tyre u shpërndanë në det.

Kush ishin Popujt e Detit? Misteri i fiseve mesdhetare që i shpallën

Tempulli i Ramsesit III në Medinet Habu në Tebë, i cili regjistron triumfet e faraonit mbi Popujt e Detit. Megjithatë, fitorja e tij erdhi me një kosto të madhe ekonomike për egjiptianët.

Çfarë ndodhi me Popujt e Detit?

Pas kësaj periudhe, Popujt e Detit pothuajse zhduken nga burimet historike, duke lënë pas më shumë pyetje sesa përgjigje. Nga erdhën? Pse braktisën vendin e tyre dhe sulmuan Egjiptin e shoqëri të tjera të lashta? Si arritën të ishin kaq të suksesshëm në fushatat e tyre ushtarake? Dhe çfarë ndodhi me ta pas mbretërimit të Ramzesit III?

Askush nuk e di me siguri. Megjithatë, studiuesit besojnë se Popujt e Detit, të cilët trazuan qytetërimet për shekuj me radhë, luajtën një rol të rëndësishëm në shembjen e Epokës së Bronzit në shekullin XII p.e.s.

Popujt e Detit dhe shembja e Epokës së Bronzit

Në shekullin XII p.e.s., një sërë qytetërimesh, përfshirë Perandorinë Hitite, mbretëritë mikenase, kasitët, Ugaritin dhe shtetet amorite, u shkatërruan plotësisht. Të tjera, si Egjipti dhe Asiria, mbijetuan, por të dobësuara ndjeshëm. Disa studiues mendojnë se ky kolaps i jashtëzakonshëm, i cili e futi botën në të ashtuquajturën Epokë të Errët Greke, u shkaktua pjesërisht nga sulmet e Popujve të Detit.

Kush ishin Popujt e Detit? Misteri i fiseve mesdhetare që i shpallën

Rrënojat e Hattusës, kryeqytetit të Perandorisë Hitite. Disa besojnë se bastisjet nga Popujt e Detit çuan në shkatërrimin e qytetit në fund të Epokës së Bronzit.

Në Egjipt, për shembull, Ramsesi III shpenzoi pothuajse të gjitha rezervat e thesarit të tij për t’u përballur me Popujt e Detit. Në vende të tjera, dëshmitë arkeologjike tregojnë se këta sulmues dogjën qytete të tëra. Hatusa, kryeqyteti i lashtë i Perandorisë Hitite, dhe Megido, një qytet-shtet i rëndësishëm në Kanaan, duket se u shkatërruan nga pushtuesit. Të njëjtin fat pësuan edhe qytetet portuale në Qipro, Siri dhe Palestinë, si edhe pallatet greke në Mikena, Tirins dhe Pilos.

Arkeologët kanë zbuluar një pllakë balte në Ugarit, një qytet-port i pasur në territorin e Sirisë së sotme veriore, që mendohet të jetë shkruar nga mbreti i fundit i tij, Ammurapi. Në të thuhet:”Ati im, dije se anijet e armikut erdhën këtu; qytetet e mia u dogjën dhe ata kryen vepra të liga në vendin tim… Ati im ta dijë se shtatë anijet e armikut që mbërritën këtu na shkaktuan dëme të mëdha.”

A ishin Popujt e Detit shkaku i gjithë këtij shkatërrimi? Ndoshta. Por, megjithëse mund të kenë qenë një nga faktorët kryesorë, historianët bien dakord se shembja e Epokës së Bronzit kishte shumë shkaqe.

Nga viti 1250 deri në vitin 1100 p.e.s., bota e lashtë u përball me një “superthatësirë”. Ndërsa egjiptianët dhe babilonasit përfituan nga afërsia me lumenjtë gjatë viteve të thata, popullsitë e qytetërimeve të tjera u detyruan të largoheshin nga trojet e tyre. Pikërisht kjo mund të ketë ndodhur edhe me Popujt e Detit. Në të njëjtën kohë, mes viteve 1225 dhe 1175 p.e.s., rajoni u godit edhe nga një seri tërmetesh të fuqishme.

Këta faktorë, të kombinuar me konfliktet e brendshme, ndërprerjen e rrjeteve tregtare dhe pushtimet, si ato të Popujve të Detit, çuan në shembjen e Epokës së Bronzit. Qytetërimet u rrëzuan, marrëdhëniet tregtare u ndërprenë dhe disa gjuhë të shkruara, përfshirë ato të përdorura nga mikenasit dhe hititët, u zhdukën plotësisht.

Nga rrënojat e Epokës së Bronzit lindën qytetërime të reja. Por Popujt e Detit nuk ishin ndër to. Ndoshta u zhdukën, ndoshta u përthithën nga popullsi të tjera. Çfarëdo që të ketë ndodhur, fati i tyre dhe ndikimi që patën në fundin e Epokës së Bronzit mbeten ende një nga misteret më intriguese të historisë. /Kaleena Fraga – All That’s Interesting

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një anije që i përkiste kompanisë shtetërore të naftës së…