KUR SHTETI HESHT PËRBALLË HISTORISË DHE TË ARDHMES

22 shtator 2026 | 21:48

Arben Hoxha

Hyrje

Pse nuk ka veprime institucionale nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës përballë situatës së re ekzistenciale të krijuar për shtetësinë e Kosovës pas shqiptimit të dënimit ndaj krerëve të UÇK-së, nën akuzën për “veprim të organizuar kriminal”? Pyetja nuk lidhet vetëm me vendimin gjyqësor në vetvete. Ajo lidhet me mënyrën se si një shtet e kupton veten përballë një ngjarjeje që prek njëkohësisht të kaluarën e tij, të tashmen politike dhe të ardhmen e tij.

Hapësira e debatit publik shqiptar është pushtuar nga dy mënyra të ndryshme të organizimit të kuptimit për verdiktin e Gjykatës Speciale në Hagë: nga diskursi i normalizimit dhe nga diskursi kritik i prishjes së normalitetit. Diskursi i normalizimit përpiqet ta ruajë rendin ekzistues të kuptimit për verdiktin e Gjykatës Speciale në Hagë. Strukturën e vet narrative, diskursi i normalizimit e ndërton rreth pyetjes: kush është përgjegjës për themelimin e Gjykatës Speciale? Kjo pyetje e vendos qendrën e vëmendjes te origjina e përgjegjësisë politike dhe, në këtë mënyrë, krijon mundësinë që përgjegjësia e së tashmes të zhvendoset te vendimet e së kaluarës. Diskursi kritik nis nga një pyetje: çfarë kuptimi historik dhe politik do t’i japë Kosovës, sot dhe nesër, vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë?

Dy format e ndërgjegjes politike

Dallimi ndërmjet këtyre dy pyetjeve nuk është thjesht dallim tematik. Është dallim ndërmjet dy formave të ndërgjegjes politike. E para kërkon të dijë kush duhet të mbajë përgjegjësinë për atë që ka ndodhur. E dyta pyet se çfarë përgjegjësie kemi ne përballë asaj që ka ndodhur. Asnjëra prej këtyre pyetjeve nuk mund t’u delegohet gjykatësve, avokatëve apo institucioneve ndërkombëtare. Ato i drejtohen vetëdijes sonë shtetërore, institucionale, politike dhe kombëtare. Pyetja e parë synon të fuqizojë ndërgjegjen e shfajësimit si një formë të vetëdijes që e kërkon shpëtimin e subjektit politik përmes zhvendosjes së përgjegjësisë te të tjerët dhe te vendimet e së kaluarës. Pyetja e dytë kërkon të prodhojë ndërgjegjen e përgjegjësisë, si formë të vetëdijes që e pranon subjektin politik si pjesë të situatës dhe, për këtë arsye, si bartës të detyrimit për të vepruar brenda saj. Ndërgjegjja e shfajësimit kërkon të dijë se kush është fajtor. Ndërgjegjja e përgjegjësisë pyet se çfarë duhet të bëjmë.

Ndërsa ndërgjegjja e shfajësimit e vendos veten në raport me fajin e djeshëm, ndërgjegjja e përgjegjësisë e vendos veten në raport me detyrën morale ndaj së ardhmes, me detyrimin për t’iu përgjigjur realitetit në të cilin gjendet, edhe atëherë kur nuk është shkaku i krijimit të tij.

Një individ, një parti politike, një insitucion shtetëror mund të mos jetë shkaktar i një pasoje, por ai gjithnjë mbetet përgjegjës për mënyrën se si e kupton, e komunikon dhe u përgjigjet atyre pasojave. Pikërisht këtu fillon përgjegjësia e institucioneve të Kosovës. Shmangia nga përgjegjësia në momente të tilla historike, si ky pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë, është ftesë për pasoja të mëdha.

Në vitin 1998, me sulmin ndaj familjes Jashari, Serbia e shpalosi, përballë Kosovës, projektin e saj përfundimtar: shfarosjen fizike të popullit shqiptar përmes një force ushtarake e policore me karakter gjenocidal. Përballë këtij realiteti, klasa politike e Kosovës, e vetëizoluar brenda një realiteti paralel dhe iluziv, u përpoq ta neutralizonte dhe ta normalizonte mesazhin e qartë të Serbisë për një agresion ushtarak, edhe përmes “sugjerimeve të ndërkombëtarëve”, duke organizuar zgjedhje “të lira dhe demokratike”.

Zgjedhjet, institucionet paralele dhe ritualet politike u bënë instrumente të ruajtjes së një normaliteti formal, ndërkohë që realiteti historik kërkonte diçka tjetër: një përkufizim të qartë të rrezikut dhe një përgjigje ndaj tij. Këtu qëndron paradoksi i normalizimit: institucioni mund të vazhdojë të funksionojë edhe kur realiteti që ai pretendon të përfaqësojë ka ndryshuar rrënjësisht. Në momente të tilla, normaliteti nuk është tregues i stabilitetit. Ai është mekanizëm i shmangies së realitetit.
Zgjedhjet “e lira dhe demokratike”, në atë rrethanë, ishin më shumë se një proces politik: ato u shndërruan në një formë të shmangies së përgjegjësisë së pashmangshme për t’u përballur me rrezikun e agresionit serb. Në vend të përkufizimit të qartë të realitetit dhe të një përgjigjeje politike ndaj tij, u zgjodh vazhdimi i një normaliteti institucional që nuk përputhej me gjendjen reale në terren.

Pa një përkufizim të qartë të problemit, nuk mund të ketë as zgjidhje të tij

Dje, Millosheviqi, përmes makinerisë së tij ushtarake dhe policore, e goditi në mënyrën më brutale ekzistencën fizike të qenies shqiptare në Kosovë. Sot, sfida është e një natyre tjetër. Nuk kemi përballë një agresion ushtarak të vitit 1998. Vendimi i Gjykatës Speciale është një akt agresioni juridik, por që, brenda vetes, përmban një potencial të madh për të prodhuar pasoja politike, shoqërore dhe historike.

Agresioni juridik dhe agresioni ushtarak, edhe pse nuk janë identikë, jo rrallë, në marrëdhëniet ndërkombëtare, janë komplementarë. Nëse agresioni i djeshëm synonte trupin fizik të popullit shqiptar, sfida e sotme lidhet me mënyrën se si përcaktohet, interpretohet dhe legjitimohet historikisht e juridikisht e kaluara mbi të cilën është ndërtuar shtetësia e Kosovës. Prandaj, shteti i Kosovës duhet të jetë i aftë ta kuptojë se edhe konfliktet mbi kuptimin e historisë prodhojnë pasoja për identitetin dhe vetëdijen e tij politike.

Klasa politike e Kosovës, përmes kalkulimeve që lidhen me mirëmbajtjen e inxhinierisë emocionale dhe mendore të shoqërisë në funksion të akumulimit të pushtetit politik e personal, po dëshmon se, njësoj si dje, edhe sot nuk po tregon vullnet të mjaftueshëm për ta lexuar qartë dimensionin politik dhe historik të asaj që po ndodh. Problemi, pra, nuk qëndron vetëm te vendimi i Hagës. Problemi qëndron edhe te mungesa e përgjegjësisë institucionale shtetërore që do ta përcaktonte qartë se çfarë nënkupton ky vendim për historinë e luftës së Kosovës, për trashëgiminë politike të saj, për vetëdijen shtetërore shqiptare dhe për të ardhmen e shtetësisë së Kosovës. Një shtet që nuk e përkufizon vetë problemin e vet, rrezikon që përkufizimin e tij t’ia lërë dikujt tjetër. Kjo është arsyeja pse përgjegjësia institucionale kërkon veprime strategjike që shkojnë përtej reagimeve sporadike.
Reagimi i shqiptarëve gjithandej kundër Gjykatës Speciale në Hagë është përgjigje ndaj ngjarjes së verdiktit dënues; përgjegjësia institucionale shtetërore është aftësia për ta vendosur këtë ngjarje brenda një kuptimi dhe për të vepruar mbi pasojat e saj.

Përfundim

Shteti nuk mbrohet vetëm me ushtri, polici apo institucione të sigurisë. Ai mbrohet edhe përmes aftësisë së tij për ta përcaktuar, argumentuar dhe mbrojtur të vërtetën e vet historike, juridike dhe politike.
Rezistenca ndaj agresionit fizik të Serbisë dje do të ishte shumë më e vështirë, në mos e pamundur, pa koordinimin, ndihmën dhe mbështetjen e Shqipërisë. Për të njëjtën arsye, një përgjigje serioze institucionale ndaj agresionit juridik dhe politik të sotëm nuk mund të jetë e fragmentuar dhe e izoluar. Ajo kërkon bashkërendim të qartë institucional me Republikën e Shqipërisë dhe me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës.
Sa më e madhe të jetë shmangia e përgjegjësisë dhe sa më i vogël të jetë vullneti politik për t’u përballur me sfidat që prodhon ky zhvillim, aq më i madh bëhet hendeku ndërmjet institucioneve dhe shoqërisë. Dhe kur institucionet heqin dorë nga përgjegjësia për ta artikuluar një shqetësim popullor, shqetësimi nuk zhduket. Ai kërkon forma të tjera të shprehjes.
Historia jo e largët e Kosovës na mëson se boshllëku institucional nuk mbetet gjatë bosh.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njëri nga folësit dhe organizatorët e protestës kundër vendimit të…