Deliu-Kodra akuzon Elvis Hoxhën e LV-së për shpërndarjen e një lajmi të rremë
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar pas shpërndarjes së një materiali që ajo e ka cilësuar si të rremë nga Elvis Hoxha, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti.
Deliu-Kodra ka pretenduar se Hoxha ka shpërndarë një ballinë të modifikuar të tabloidit serb “Blic”, në të cilën paraqitet në mënyrë të rreme një reagim në mbështetje të deputetes së Aleancës, Time Kadrijaj, lidhur me një veprim të saj ndaj Kurtit.
Deputetja e PDK-së e ka quajtur Hoxhën “Lule Gjeli”, ndërsa ka pretenduar se materiali është krijuar përmes inteligjencës artificiale.
“Kqyrne ‘Lule Gjelin’, Elvis Hoxhën, këshilltarin politik të Albin Kurtit. Shpërndan një ballinë që nuk është botuar kurrë, me një deklaratë që nuk është thënë kurrë, të gjeneruar me AI”, ka shkruar Deliu-Kodra në “Facebook”.
Ajo ka kritikuar publikimin e materialit, duke e cilësuar atë si informacion të rremë dhe manipulim përmes inteligjencës artificiale.



