Vuçiqi i rikthehet idesë së çmendur për Ujmanin: Po shqyrtojmë ndryshimin e rrjedhës së Ibrit

09 gusht 2026 | 13:53

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se autoritetet serbe po shqyrtojnë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër në territorin e Serbisë.

Vuçiq e ka lidhur këtë ide me atë që ai e ka cilësuar si trajtim të keq të serbëve nga autoritetet në Prishtinë. Sipas tij, Serbia tashmë ka angazhuar ekspertë për të shqyrtuar mundësitë teknike lidhur me një projekt të tillë.

“Ne tashmë kemi ftuar ekspertë që merren me këtë çështje, inxhinierë dhe profesionistë të tjerë. Kur po e keqtrajtojnë kaq shumë popullin tonë, të shohim – kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së Ibërit dhe do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”, ka thënë Vuçiq gjatë një vizite në punimet për urën e vjetër hekurudhore në Beograd.

Vuçiq ka thënë se Serbia është shtet sovran dhe se do të veprojë në përputhje me interesat e saj.

“Ne jemi shtet sovran. Ndonjëherë kemi interesa të këtilla, ndonjëherë të tjera dhe në përputhje me to do të sillemi”, ka thënë ai.

Duke folur për situatën e serbëve në Kosovë, Vuçiq ka thënë se ata, sipas tij, po përballen me kushte shumë të vështira dhe se Serbia po i ndjek nga afër zhvillimet.

Ai gjithashtu ka thënë se Serbia nuk e konsideron aktualisht luftën me NATO-n si opsion.

“Për ata që janë mbrojtës të mëdhenj të popullit tonë, pyesni popullin tonë në Kosovë se kë e shohin si mbrojtësin e vetëm. Unë i shoh mirë këto rrethana dhe merrem me to çdo ditë. Është shumë e vështirë. Por, a është opsion për ne në këtë moment të hyjmë në luftë me NATO-n? Mendoj se nuk është”, ka thënë Vuçiq.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Familja e Lionel Messit po përjeton një nga momentet më…