Tofaj: U hoq neni që taksonte bizneset e Junikut, buxheti nuk mori mbështetjen e plotë
Kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Junik, njëherësh asamblist, Jetmir Tofaj, ka reaguar pas zhvillimeve të sotme në Kuvendin Komunal, duke thënë se është arritur një “fitore e madhe” në mbrojtje të bizneseve të Junikut.
Tofaj ka deklaruar se rregullorja e propozuar parashihte sërish taksimin e bizneseve, por pas kundërshtimeve dhe argumentimit të tyre në seancë, neni për taksimin e bizneseve është hequr nga rregullorja.
“Ne nuk jemi kundër buxhetit. Përkundrazi, sapo të plotësohen kërkesat tona dhe të korrigjohen këto gabime, e votojmë menjëherë, me dy duart”, ka shkruar Tofaj.
Ai ka kritikuar gjithashtu draftbuxhetin, duke theksuar se ai nuk mori mbështetjen e plotë të grupit të LDK-së.
“Buxheti nuk kaloi. Është hartuar aq keq ky draftbuxhet, saqë edhe grupi i LDK-së nuk e votoi në tërësi”, është shprehur ai.
Sipas Tofajt, qëndrimi i tyre nuk synon bllokimin e buxhetit, por mbrojtjen e interesit të qytetarëve dhe bizneseve të Junikut.
“Ne nuk jemi këtu për të bllokuar. Jemi këtu për të mbrojtur interesin e qytetarëve dhe të bizneseve të Junikut. Fjalët mbahen gjithmonë. Jo vetëm kur duhen votat”, ka përfunduar Tofaj.



