Biserko: Vuçiqi s’mund ta ndryshojë rrjedhën e Ibrit, kërcënimi është pjesë e fushatës së tij

10 gusht 2026 | 16:36

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Sonja Biserko, e ka cilësuar të pamundur realizimin e paralajmërimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër.

Në një intervistë për Radio Dukagjinin, Biserko ka thënë se deklaratat e Vuçiqit duhet të shihen në kontekstin e situatës së tij politike në Serbi dhe zgjedhjeve që, sipas saj, mund të mbahen në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm.

Ajo ka deklaruar se presidenti serb vazhdimisht përpiqet të mobilizojë opinionin në Serbi përmes çështjes së Kosovës dhe pozitës së serbëve në Kosovë.

“Presidenti Aleksandar Vuçiq gjendet në një situatë turbulente, kritike tash e dy vjet dhe nuk e di se si do të kalojë në zgjedhjet që herët a vonë duhet të mbahen, në fund të këtij viti apo në fillim të vitit të ardhshëm. Ai është vazhdimisht në një gjendje ku përpiqet të mobilizojë emocionet në Serbi për çështjen e Kosovës dhe të serbëve në Kosovë”, ka deklaruar Biserko.

Sipas saj, Vuçiqi përmes Listës Serbe dhe presioneve të vazhdueshme i instrumentalizon serbët e Kosovës, ndërsa njëkohësisht synon të paraqitet si faktor kryesor politik në rajon.

“Ai vazhdimisht demonizon qeveritarët dhe Prishtinën në përgjithësi. Në fakt, ai bart përgjegjësinë më të madhe për pozitën e serbëve në Kosovë, pasi përmes Listës Serbe dhe përmes kërcënimeve i instrumentalizon në vazhdimësi. Në të njëjtën kohë, përpiqet të prezantohet në fushatën e vet si lojtari kryesor në rajon”, ka thënë ajo.

Duke komentuar konkretisht paralajmërimet për lumin Ibër, Biserko ka thënë se një skenar i tillë nuk është i realizueshëm, duke iu referuar edhe detyrimeve ndërkombëtare dhe ligjeve vendore.

“Në Kosovë ai kërcënon me ndryshimin e rrjedhës së Ibrit. Natyrisht, kjo nuk është në asnjë mënyrë e mundur, as sipas konventave ndërkombëtare dhe as sipas ligjeve vendore. Do të thosha se ky kërcënim është thjesht në funksion të fushatës së tij”, është shprehur Biserko.

Megjithatë, ajo ka paralajmëruar se kjo nuk e përjashton mundësinë që presidenti serb të përpiqet të rrisë tensionet në rajon.

“Kjo nuk do të thotë që ai, në një moment, nuk do të tentojë ngritjen e tensioneve apo ndonjë konflikt, qoftë në Bosnje apo në Kosovë. Por kjo është ende e paqartë”, ka deklaruar ajo.

Biserko ka komentuar edhe qëndrimin e Ukrainës ndaj pavarësisë së Kosovës, duke thënë se Kievi ndodhet në një pozitë të ndërlikuar për shkak të luftës me Rusinë dhe se deklaratat për integritetin territorial duhet të shihen edhe në këtë kontekst.

“Ukraina është në situatë tejet delikate. Ajo po përjeton agresionin rus gati pesë vjet dhe po luan me këtë deklaratë në kuptimin klasik, pasi 20 për qind e territorit të saj është nën okupimin rus. Do të thosha se këto janë deklarata që kanë të bëjnë me situatën në vetë vendin”, ka thënë Biserko.

Sipas saj, Vuçiqi vazhdon ta përdorë Kosovën edhe në raportet e Serbisë me Ukrainën, duke e lidhur mbështetjen për integritetin territorial të Ukrainës me pretendimet e Beogradit ndaj Kosovës.

“Vuçiq ende po e shfrytëzon Kosovën si argument për raportet me Ukrainën. Ai thotë se mbështet integritetin e Ukrainës, duke implikuar edhe integritetin e Serbisë, që sipas tij përfshin Kosovën. Kjo është një lojë politike në këtë moment, por në esencë nuk e ndryshon situatën në terren”, ka deklaruar Biserko.

Ajo ka vlerësuar se mesazhe të tilla u drejtohen para së gjithash votuesve në Serbi dhe synojnë të krijojnë përshtypjen se Beogradi nuk ka hequr dorë nga Kosova. /Telegrafi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Barcelona ka vendosur të nisë negociatat me Paris Saint-Germainin për…