Elmi Reçica kujton 25-vjetorin e Brigadës 115: “Radusha mbetet simbol i guximit, qëndresës dhe sakrificës”
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, ish-i burgosuri politik, veprimtari dhe ish-luftëtari e drejtuesi i UÇK-së, Elmi Reçica, ka kujtuar 25-vjetorin e Brigadës 115 të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Reçica, përmes një postimi, ka shprehur nderimin e tij për luftëtarët, dëshmorët, veteranët, invalidët dhe martirët e kësaj periudhe, duke e cilësuar këtë përvjetor si një moment të rëndësishëm kujtese për historinë e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. “Një çerek shekulli kujtese, krenarie dhe nderimi për një kapitull të rëndësishëm të historisë së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”, ka shkruar Reçica. Ai është ndalur veçanërisht te Radusha, duke e cilësuar atë si simbol të guximit, qëndresës dhe sakrificës.
“Radusha mbetet simbol i guximit, qëndresës dhe sakrificës. Sot, 25 vjet më pas, kujtojmë me respekt luftëtarët e Brigadës 115, nën drejtimin e Komandantit Rafis Aliti – Mësuesi, dhe të gjithë ata që kontribuan në këtë periudhë vendimtare”, ka shkruar ai. Në postimin e tij, Reçica ka përmendur edhe bashkëveprimtarin dhe bashkëluftëtarin e tij, Ali Ahmetin, të cilin e cilëson si themelues dhe drejtues të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Sipas tij, luftëtarët dhe strukturat e UÇK-së udhëhoqën një përpjekje që kulmoi me Marrëveshjen e Ohrit, përmes së cilës, sipas Reçicës, u avancuan aspiratat për barazi, të drejta dhe përfaqësim të shqiptarëve. Reçica ka theksuar se Marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet në tërësi.
“Marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet me përpikëri dhe në tërësi, si bazë e rëndësishme për barazi dhe bashkëjetesë”, ka shkruar ai. Në përmbyllje të mesazhit të tij, Reçica ka shprehur nderimin për luftëtarët e Brigadës 115 dhe ka kërkuar që sakrifica e të rënëve dhe kontributi i atyre që morën pjesë në këtë periudhë të kujtohen me respekt. “Nderim luftëtarëve të Brigadës 115! Lavdi dëshmorëve, respekt veteranëve, invalidëve dhe martirëve!”, përfundon postimi i Elmi Reçicës.



