Kërçeli: Presim takimin me partitë për thirrjen e seancës së re

11 gusht 2026 | 12:45

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ka deklaruar se janë në pritje edhe të një takimi mes Albin Kurtit dhe liderëve të partive opozitare.

Sipas tij, para se të kalohet edhe te votimi i nënkryetarëve, kryetarit të Kuvendit e qeverisë, duhet një marrëveshje edhe për postin e presidentit.

“Jemi në pritje të një takimi me subjektet politike për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për të gjitha pozitat e institucioneve të Republikës së Kosovës. Deri tash, unë për veti nuk jam i informuar nëse është bërë edhe një tentim për takim të radhës me liderët e partive politike. Sa i përket afatit kushtetues, ne s’i kemi as gjashtë ditë prej se jemi betuar si deputetë e para kësaj s’kemi mundur të takohemi e të thërrasim seancë”, ka deklaruar ai.

Kërçeli ka thënë se nuk ka ndonjë informacion nëse pritet që së shpejti të ketë një takim.

“Kurse sa i përket rreth 48-orëshit, mendojmë se opozita po deklaron se duhet zgjedhur kryetari dhe kryesia e Kuvendit, por pas saj vjen votimi për qeverinë dhe presidentin dhe Vetëvendosje konsideron se së pari duhet të kemi një marrëveshje gjithëpërfshirëse për të gjitha pozitat para se të votohet kryetari dhe nënkryetarët”, ka deklaruar ai. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në ”Click” të RTV21, ka…