Rafuna: Eksportet janë rritur me mbi 1 miliard, institucionet të kenë kujdes si po i trajtojnë produktet vendore
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka shprehur shqetësim për mënyrën se si institucionet shtetërore po i trajtojnë produktet vendore, duke iu referuar veçanërisht Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës.
Rafuna ka thënë se trajtimi i produkteve vendore nuk është i drejtë dhe se çdo veprim institucional që krijon dyshime apo panik te konsumatorët mund të dëmtojë një zinxhir të tërë ekonomik, nga fermerët dhe përpunuesit deri te prodhuesit dhe konsumatorët.
“Ne gjithmonë kemi kërku që prodhimet kosovare të mbështeten për shkak se edhe ashtu kemi pak prodhime që i prodhojmë në Kosovë dhe na ka mbytë importi. Dhe në qoftë se i shohim të dhënat zyrtare, shohim që… në qoftë se i krahasojmë me vitet e mëparshme, për shembull prej vitit 2022, shohim që mbi 1 miliard është rritur importi, ndërsa eksporti ka mbetur në vlera të njëjta”, ka thënë Rafuna.
Ai ka theksuar se deficiti tregtar, sipas të dhënave që prezantoi, është tkurrur nga 18.6 për qind në vitin 2022 në 14.4 për qind.
Kreu i OEK-ut ka kërkuar nga institucionet që të tregojnë kujdes me deklarimet dhe veprimet e tyre, në mënyrë që të mos dëmtohet imazhi i produkteve vendore.
“Kërkojmë me urgjencë nga institucionet e vendit, në këtë rast nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, por edhe nga Ministria e Bujqësisë që të mos marrin veprime të cilat e prishin imazhin ose krijojnë të pavërteta, ose edhe panik te konsumatorët që të mos i blejnë produktet e Kosovës”, ka thënë ai.
Rafuna ka vlerësuar se produktet kosovare prodhohen sipas standardeve të larta dhe se mund të konkurrojnë me produkte të tregjeve rajonale dhe evropiane.
“Produktet e Kosovës prodhohen me standardet më të larta, janë me cilësinë më të lartë”, ka thënë ai, duke shtuar se prodhuesit vendorë janë në gjendje t’u bëjnë konkurrencë edhe kompanive me përvojë shumëvjeçare në tregjet ndërkombëtare.
Sipas tij, prodhimet vendore nuk e meritojnë një trajtim që mund të dëmtojë besimin e konsumatorëve.
“Kërkojmë që produktet tona të subvencionohen, të mbrohen, por edhe të punohet që t’u gjindet një treg më i madh”, ka thënë Rafuna.
Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e kompanive vendore për ekonominë e Kosovës, duke thënë se ato kanë krijuar mijëra vende pune.
Rafuna i ka ofruar bashkëpunim Ministrisë së Bujqësisë dhe AUV-it për adresimin e çështjeve që lidhen me kontrollin dhe promovimin e produkteve vendore.
“Këto kanë krijuar me mijëra vende pune dhe janë një segment shumë i rëndësishëm i degës së zhvillimit ekonomik dhe Oda Ekonomike e Kosovës është e gatshme që në çdo kohë, 24/7, t’i ofrojë Ministrisë, por edhe AUV-it të gjithë asistencën, mbështetjen, por edhe dialogun, që ta zgjidhim këtë paraqitje të produkteve tona që është krijuar me këto konferencat e fundit”, ka thënë ai.
Kreu i OEK-ut ka paralajmëruar se dëmtimi i imazhit të produkteve vendore mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për mijëra fermerë dhe punëtorë.
“Janë produkte të Kosovës, janë mijëra vende të punës që mund të humbin, janë mijëra fermerë që mund t’i humbin bagëtitë e tyre si rezultat i krijimit të një imazhi jo të mirë për prodhimet tona”, ka thënë Rafuna.
Ndërkohë, ai ka theksuar se kompanitë vendore kanë kapacitete për të eksportuar në tregun e Bashkimit Evropian, por ka kërkuar nga institucionet që të punojnë më shumë për krijimin e kushteve të nevojshme për këtë.
Sipas Rafunës, një prej pengesave lidhet me njohjen e certifikatave veterinare.
“Në vend që ne të punojmë që produktet tona të dalin, ne po e bëjmë të kundërtën”, ka thënë ai.



