Tahiri: Kurti synon zgjedhje të reja më 27 dhjetor, po e shtyn konstituimin e Kuvendit për ta realizuar skenarin
Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Arian Tahiri, ka akuzuar Albin Kurtin se po e zvarrit konstituimin e Kuvendit për t’i hapur rrugë, sipas tij, zgjedhjeve të reja më 27 dhjetor 2026.
Tahiri ka pretenduar se synimi është që Kuvendi të konstituohet mes 13 dhe 28 shtatorit, në mënyrë që më pas të krijohet hapësira procedurale për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja.
“Konstituimi i tashëm i Kuvendit ia prish skenarin. I aktivizon afatet kushtetuese dhe ia ngushton hapësirën për manovrim”, ka shkruar Tahiri.
Sipas tij, ofertat për partitë parlamentare, letrat zyrtare dhe thirrjet për dialog janë pjesë e një narrative politike dhe jo përpjekje reale për marrëveshje.
“Synimi nuk është marrëveshja. Synimi është mosmarrëveshja që ta jetësojë skenarin e tij”, ka deklaruar Tahiri.
Postimi i plotë:
Albin Kurtit nuk i interesojnë afatet kushtetuese. I intereson skenari i tij.
Objektivi është i qartë: zgjedhjet e reja më 27 dhjetor 2026.
Kuvendin do ta konstituojë, por jo tani. Synimi i tij është që konstituimi të bëhet afërsisht mes 13 dhe 28 shtatorit, në mënyrë që, sipas skenarit politik e procedural, Albin Kurti dhe Ushtruesja e Detyrave të tij si Presidente të mund ta caktojnë 27 dhjetorin si datë të zgjedhjeve të reja.
Konstituimi i tashëm i Kuvendit ia prish skenarin. I aktivizon afatet kushtetuese dhe ia ngushton hapësirën për manovrim.
Prandaj, i duhet edhe rreth një muaj shtyrje.
Dhe këtë shtyrje do ta mbulojë me oferta të papranueshme për partitë parlamentare, me letra zyrtare, mesazhe telefonike dhe “gatishmëri për dialog”, kinse është i angazhuar për arritjen e një marrëveshjeje politike për krijimin e institucioneve të reja.
Këto i duhen vetëm për narrativin politik të zgjedhjeve të ardhshme, sepse synimi nuk është marrëveshja. Synimi është mosmarrëveshja që ta jetësojë skenarin e tij.
As Albin Kurti dhe as Gjykata Speciale, nuk do të mund t’i jetësojnë skenarët e tyre!



