PDK-ja dhe Aleanca i bëjnë thirrje Deharit: Seanca konstituive të mbahet nesër në orën 11:00
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca kanë kërkuar që vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të mbahet nesër në orën 11:00, duke i bërë thirrje kryesuesit të seancës, Avni Dehari, që ta thërrasë atë në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit.
Në një konferencë për medie, deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, ka thënë se partia e tij i ka bërë kërkesë zyrtare Deharit që ta ushtrojë detyrën e tij dhe ta thërrasë seancën.
Ai ka bërë me dije se ftesë për të qenë të pranishme nesër në Kuvend u është bërë edhe partive të tjera politike.
“Me bë ftesë publike, edhe kryesuesit të seancës, zotëri Dehari, mirëpo edhe partisë Vetëvendosje, e cila është duke pengu konstituimin e parlamentit. Ne si Parti Demokratike e Kosovës i kemi bërë kërkesë zyrtare sot që ai ta ushtrojë detyrën e vet në bazë të Rregullores së Punës së Parlamentit, ta respektojë ligjin, ta respektojë Kushtetutën dhe ta thërrasë seancën në mënyrë që të konstituohet parlamenti dhe të kemi normalitet, që ekonomia e Republikës së Kosovës të jetë funksionale. Gjithashtu edhe subjekteve të tjera politike, të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, i kemi dërguar ftesën që nesër në ora 11:00 të jenë prezent. Partia Demokratike e Kosovës do të jetë prezent, Aleanca është përgjigjur pozitivisht dhe presim që do të përgjigjen edhe subjektet e tjera, për shkak se është obligim kushtetues moral i secilit prej neve që të jemi në seancë dhe ta funksionalizojmë Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Ndërsa deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka thënë se situata aktuale paraqet, sipas tij, “emergjencë kombëtare” dhe tendencë për shkatërrimin e rendit kushtetues.
“Rrethana të cilat jemi si Kosovë dhe rrethana në të cilat është sot Kuvendi i Republikës së Kosovës, realisht tregojnë për një jo vetëm emergjencë kombëtare, mirëpo për një tendencë të shkatërrimit të rendit kushtetues, dhe njëkohësisht të pamundësimit të ushtrimit të funksionit të deputetit në Kuvendin e Kosovës aty ku na ka dhënë besimin sovrani, aty ku ne kemi vendin bazë të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Tahiri.
Ai ka bërë me dije se Aleanca, në koordinim me partitë politike që kanë qenë në opozitë, ka kërkuar takim me kryesuesin e seancës konstituive, Avni Dehari, me qëllim që seanca të mbahet nesër në orën 11:00.
“Sot ne kemi dërguar një kërkesë zyrtare si Aleancë, por në koordinim me partitë politike që kanë qenë në opozitë, kemi kërkuar takim me kryesuesin e seancës konstituive, zotin Dehari, në mënyrë që nesër, në orën 11:00, kur kalojnë 48-orëshi, në bazë të përcaktimit të Rregullores së Kuvendit, të ndodhë seanca. Nuk kemi pasur asnjë përgjigje, nuk kemi marrë asnjë koment dhe asnjë konsiderim për me ndodhë Kuvendi”, ka thënë ai.
Tahiri ka thënë se partitë opozitare fillimisht do të ndjekin rrugët institucionale, ndërsa ka paralajmëruar edhe veprime politike në rast se, siç ka thënë ai, vazhdon pamundësimi i ushtrimit të mandatit të deputetëve.
“Kur neve na pamundësohet ushtrimi i funksionit tonë si deputet, dhe kur ne e shohim që ka nisur shpërbërja e institucioneve demokratike që fillojnë nga Kuvendi, dhe rrjedhimisht shkatërrimi i të arriturave të vendit tonë, nuk na mbetet tjetër veç t’i provojmë rrugë fillimisht institucionale, e pastaj t’i bëjmë veprimet tona politike në funksion të krijimit të rendit kushtetues në Kosovë”, ka thënë Tahiri.
Ai ka shprehur shqetësim edhe për funksionimin e Qeverisë, duke pretenduar se shkeljet kushtetuese po ndodhin edhe në këtë institucion.
“Ajo që na brengos shumë është se shkelja e Kushtetutës për vetë po ndodh vetëm në Kuvend, por po ndodh edhe në Qeveri. I kemi 17 ministra që shkojnë jashtëligjshëm në Qeveri, Prokuroria duhet të veproj”, ka thënë Tahiri.



