13 ditë radhazi, mijëra qytetarë në sheshin “Skënderbeu”: Zëri për drejtësi për çlirimtarët nuk shuhet!

28 shtator 2026 | 21:10

Mijëra qytetarë janë mbledhur sërish në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për natën e 13-të radhazi, në shenjë kundërshtimi ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Protesta, e cila ka nisur në orën 21:00, po mbahet nën moton “Jo në emrin tim”. Në shesh janë parë flamuj të UÇK-së dhe flamuj kombëtarë, si dhe banerë me mesazhin “Liria ka emër”. Një pankartë e mbajtur mbi turmë ka shkruar: “Por, ne nuk dorëzohemi!”, ndërsa te themeli i shtatores së Skënderbeut ka qenë vendosur një baner me mesazhin “Mos më prek në dritë të syrit”.

Në turmë janë parë qytetarë të të gjitha moshave: të rinj, familje me fëmijë, të moshuar uniforma dhe simbole të UÇK-së.

Organizatori i protestës, Çlirim Haziri, ka bërë të ditur para tubimit se protestat do të vazhdojnë. “Për UÇK-në, nuk lodhemi. Për të vërtetën tonë, nuk heshtim. Do të jemi këtu, natë pas nate, derisa zëri ynë të dëgjohet”, ka shkruar ai.

Protestat kanë nisur më 16 shtator, ditën kur Dhomat e Specializuara shpallën fajtorë për krime lufte Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 dhe Selimi me 13, gjithsej 81 vjet.

Protestat janë zgjeruar edhe jashtë Kosovës, me iniciativë të diasporës shqiptare. Tubime nën moton “Jo në emrin tim” janë mbajtur në Cyrih dhe Gjenevë, ndërsa të tjera janë paralajmëruar në Vjenë, Shtutgart, Hamburg, Dyseldorf, Londër, Oslo, Grac, Trevizo, Karlsruhe, Lindau dhe Shkup. Pjesëmarrësit kanë mbajtur flamuj kuq e zi dhe emblema të UÇK-së.

Organizatorët kërkojnë ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, si dhe mbështetje financiare nga Qeveria për mbrojtjen e të dënuarve gjatë procesit të apelit.

Protestat janë përhapur edhe në qytete të tjera të Kosovës. Platforma “Liria ka Emër” ka paralajmëruar një tubim masiv në Prishtinë më 1 tetor.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Pas miratimit te deklaratës se Kuvendit te Kosovës lidhur me…