Arrestohet gjyqtari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, dyshohet për keqpërdorim të detyrës
Prokuroria Speciale e Kosovës, në bashkëpunim me Njësinë e Veçantë Hetimore të Policisë së Kosovës, ka zhvilluar një aksion hetimor që ka rezultuar me arrestimin e një gjyqtari të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me inicialet A.G.
Sipas Prokurorisë Speciale, gjyqtari dyshohet për veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare”. Hetimet ndaj tij janë zhvilluar për disa muaj, gjatë të cilëve autoritetet kanë siguruar të dhëna dhe prova që, sipas Prokurorisë, krijojnë dyshim të arsyeshëm për përfshirjen e tij në veprën penale.
Për këtë arsye, është ndërmarrë masa e arrestimit. Prokuroria Speciale ka theksuar se, për shkak të respektimit të integritetit të hetimit dhe parimit të prezumimit të pafajësisë, nuk mund të bëhen të ditura detaje të tjera në këtë fazë.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë deklaruar se mbeten të përkushtuara në luftimin e korrupsionit, keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe veprave të tjera penale, duke vepruar në përputhje me ligjin.



