Kurti: Fshati i zhvilluar dhe bujqësia produktive janë parakusht i shtetit të fortë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se zhvillimi rural dhe transformimi i bujqësisë janë prioritete të rëndësishme për vendin.
Kurti, në kuadër të Konferencës XXII të Rrjetit Evropian për Zhvillimin Rural, e cila po mbahet në Kosovë nën organizimin e Kolegjit Publik Ndërkombëtar të Biznesit Mitrovica (IBCM), tha se ngjarja për tri ditë do të mbledhë institucione, përfaqësues të akademisë, institute kërkimore dhe partnerë evropianë për të diskutuar të ardhmen e zhvillimit rural.
Ai theksoi se Kosova ka tokë pjellore, burime natyrore, traditë bujqësore dhe potencial njerëzor, ndërsa një pjesë e madhe e popullsisë jeton në zona rurale.
“Bujqësia e blegtoria, përpunimi i ushqimit dhe bizneset e vogla rurale përbëjnë bazën e të ardhurave dhe të dinjitetit për shumë familje”, tha Kurti.
Sipas tij, Qeveria po investon në mënyrë strategjike në bujqësi dhe zhvillim rural, me synimin që bujqësia të transformohet dhe të bëhet më produktive e konkurruese.
“Po punojmë që të kalojmë nga përkrahja e bazuar kryesisht në sipërfaqe dhe numër të krerëve, drejt një sistemi që nxit prodhimin, cilësinë, produktivitetin dhe konkurrueshmërinë”, deklaroi kryeministri.
Kurti tha se investimet duhet të orientohen edhe në ujë dhe ujitje, shëndetin e tokës, si dhe në kapacitetet e përpunimit dhe magazinimit, në mënyrë që fermerët të krijojnë më shumë vlerë nga prodhimet e tyre.
“Duam të ndërtojmë një sistem ushqimor ku siguria e konsumatorit tonë, konkurrenca e ndershme në treg dhe besimi në institucionet publike janë të panegociueshme”, u shpreh ai.
Në fund, Kurti theksoi rëndësinë e zhvillimit të zonave rurale për ekonominë dhe shtetin.
“Fshati i zhvilluar dhe bujqësia produktive janë parakusht i shtetit të fortë dhe ekonomisë së qëndrueshme, sikurse shoqëria e shëndoshë kërkon sistem ushqimor të sigurt”, tha Kurti.



