Behrami: Verdikti i 16 shtatorit po i shkakton ankth Kurtit
Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka thënë se vendimi që do të merret më 16 shtator në Gjykatën e Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së, po i shkakton ankth kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Në një video të postuar në “Facebook”, Behrami thotë se Kurti po synon të shpall gjendjen e jashtëzakonshme në shtator në mënyrë që të pamundësohet festa ose protesta pas vendimit.
“Shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme e bën presidenti, në konsultim me kryeministrin legjitim, në rrethana shumë specifike. Në një situatë kur nuk kemi institucione të konstituuara, një shpallje e tillë do të ishte shkatërruese. Verdikti i 16 shtatorit po i shkakton ankth Albin Kurtit. Me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në shtator, Kurti synon parandalimin e festës për lirimin e krerëve të UÇK-së ose të protestave masive, nëse verdikti do të jetë dënues”, ka shkruar Behrami, krahas videos së postuar në “Facebook”.



