Izraeli befasohet nga rimëkëmbja e shpejtë ushtarake e Iranit pas luftës
Zyrtarët izraelitë të mbrojtjes janë befasuar nga shpejtësia me të cilën Irani po rindërton kapacitetet kryesore ushtarake pas luftës së vitit 2026, me programin e raketave balistike që përbën shqetësimin kryesor, raporton The Jerusalem Post.
Vlerësimi përfshin zyrtarë të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) dhe Mossad-it. Për muaj me radhë, ekspertët e IDF-së kishin vlerësuar se sulmet izraelite e kishin kthyer pas me vite kompleksin ushtarako-industrial të Iranit.
Por katër muaj pas përfundimit të fazës kryesore të luftës në prill, ushtria izraelite po konstaton një rimëkëmbje shumë më të shpejtë nga sa kishte parashikuar, përfshirë në prodhimin e raketave balistike.
Shqetësimi lidhet edhe me vlerësimet e mëparshme të Izraelit. Pas goditjes së 20 objektivave kryesore raketore dhe ushtarako-industriale në tetor 2024, IDF-ja deklaroi se prodhimi i ardhshëm i raketave iraniane ishte vonuar me të paktën një vit.
Megjithatë, në fillim të vitit 2025, Irani kishte rikthyer në masë të madhe kapacitetet prodhuese.
Pas rreth 100 goditjeve të tjera në qershor 2025, Izraeli deklaroi sërish se kishte arritur të pengonte prodhimin iranian për disa vite. Por arsenali i vlerësuar i raketave të Iranit u rrit nga rreth 1 mijë e 300 në qershor 2025 në 2 mijë e 500 në shkurt 2026.
Gjatë luftës afërsisht 40-ditore të vitit 2026, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli goditën së bashku më shumë se 2 mijë e 600 objektiva raketore dhe ushtarako-industriale, përmes rreth 30 mijë sulmeve.
Pavarësisht dëmeve të konsiderueshme të raportuara nga Izraeli, Irani ka arritur të përqendrojë përpjekjet në rindërtimin e kapaciteteve më kritike.
Sipas zyrtarëve të lartë iranianë të cituar nga The Jerusalem Post, armët e reja po prodhohen shumë më shpejt nga sa kishte parashikuar Izraeli.
Nëse Teherani arrin të prodhojë 100-300 raketa balistike në muaj, arsenali mund të rikthehet në nivelet e mëparshme në fillim ose mesin e vitit 2027, duke krijuar potencialisht një kërcënim të madh deri në vitin 2028.



