U dënua me pushkatim se donte të vriste Ramiz Alinë, historia e pazakontë e ish-gjyqtarit Skënder Haluci, që u nda nga jeta

14 gusht 2026 | 09:30

Ish-kryetari i Gjykatës së Vlorës, Skënder Haluci, është ndarë papritur nga jeta në moshën 64-vjeçare. Ai ndërroi jetë mëngjesin e së enjtes në bjeshkët e Tropojës, ku ndodhej së bashku me familjen.

Lajmi është bërë i ditur ndërsa gazetari dhe shkrimtari Mitro Çela ka sjellë në vëmendje një prej episodeve më të veçanta dhe të dhimbshme të jetës së Halucit, që lidhet me ish-presidentin e Shqipërisë, Ramiz Alia.

Sipas rrëfimit të Çelës, në vitin 1983, Haluci u arrestua në Tropojë nën akuzën se kishte planifikuar vrasjen e Ramiz Alisë. Pas gjyqit, ai u dënua fillimisht me pushkatim, por më vonë dënimi iu fal dhe u zëvendësua me 25 vite burgim.

Gjatë vuajtjes së dënimit në burgun e Burrelit, Haluci përjetoi edhe humbjen e babait të tij. Pas daljes nga burgu, ai u rikthye në jetën shoqërore dhe më vonë u bë gjyqtar.

Në vitin 1997, kur Ramiz Alia u përball me drejtësinë, shorti përfshiu edhe Skënder Halucin në trupin gjykues që do të shqyrtonte çështjen e ish-presidentit.

Sipas Mitro Çelës, Haluci vendosi të tërhiqej nga trupi gjykues për shkak të historisë personale që kishte me Alinë.

Episodi i rrëfyer nga Mitro Çela:

Viti 1983.

Në Tropojë u arrestua Skënder Haluci. Akuza? Donte të vriste Ramiz Alinë.

Gjyq. Vendimi?

Pushkatim.

Dy ditë me skafandër në kokë. Pritej firma e Presidentit Alia…

Erdhi “fermani”: Falje.

Dënim: 25 vjet burg!

Skënderit, në burgun e Burrelit, i kishte vdekur edhe babai: 46 vjeç.

Skënder Haluci doli nga burgu.

U bë gjyqtar.

Viti 1997. Ish-presidenti Alia në gjyq.

U hodhën goglat. Në trupin gjykues edhe Skënderi.

…Dha dorëheqje.

“Nuk mund të gjykoj njeriun që më fali jetën!”, tha Skënderi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Teksa Uashingtoni edhe njëherë po përballet me pyetjen se sa…