Zogaj: LDK-ja i ofroi Kurtit arsyetimin që kërkonte për zgjedhje në vjeshtë
Analisti Petrit Zogaj, ka vlerësuar se LDK-ja i ka ofruar Lëvizjes Vetëvendosje arsyetimin që i nevojitej për të shkuar në zgjedhje të reja në vjeshtë.
Zogaj ka thënë se fillimisht LV-ja krijoi përshtypjen se po kërkonte një partner për bashkëqeverisje, ndërsa LDK-ja, sipas tij, u vetëofrua menjëherë me kërkesën për postin e presidentit.
Sipas tij, Vetëvendosjes iu deshën disa javë që këtë kërkesë ta paraqiste si absurde dhe ta shtynte LDK-në drejt dorëzimit.
“Në të njëjtën kohë, LV-ja e krijoi përshtypjen se konstituimi i Kuvendit nuk është problem dhe, për ta bërë këtë, duhet marrëveshja për presidentin”, ka thënë Zogaj.
Ai ka thënë se, pas tërheqjes së LDK-së nga kërkesat për pushtet, LVV-ja e ka “betonizuar” idenë se zgjedhja e presidentit është problemi kryesor dhe se duhet të ketë pajtim për këtë para se të procedohet me Kuvendin dhe Qeverinë.
“Frika e LDK-së për të shkuar në zgjedhje është aq e lexueshme, saqë do të ishte budallallëk për LVV-në që të mos insistonte që të mbështetet emri i saj për president. Pra, ose presidenti i LVV-së, ose zgjedhje”, ka thënë ai.
Në fund, Zogaj e ka kritikuar pozicionin aktual të LDK-së, duke thënë se kjo parti nuk është as opozitë e mirëfilltë, as pjesë e qeverisë dhe as alternativë për zgjedhjet e ardhshme.
“LDK-ja as opozitë e mirëfilltë, as pjesë e qeverisë dhe as alternativë në zgjedhjet e ardhshme”, ka përfunduar ai.



