DEKLARATË E SHOQËRISË “LËVIZJA”
“25 vjet Marrëveshja e Ohrit, – Arritjet, sfidat dhe perspektivat e Maqedonisë së Veriut”
Me rastin e 25-vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, Shoqëria “Lëvizja” organizoi Simpoziumin Shkencor kushtuar analizës së arritjeve, sfidave dhe perspektivave të Maqedonisë së Veriut. Në kuadër të tij u paraqitën 15 teza shkencore, të cilat trajtuan kontekstin historik të Marreveshjes së Ohrit, transformimin kushtetues, politik e shoqëror të shtetit, si dhe sfidat aktuale që lidhen me zbatimin e kēsaj Marrëveshjeje.
Pas diskutimeve, pjesëmarrësit miratuan këtë:
DEKLARATË
1. Marrëveshja e Ohrit mbetet dokument i rëndësishëm politik dhe kushtetues i Maqedonisë së Veriut pas pavarësisë së saj. Ajo krijoi themelet e paqes, stabilitetit, bashkëjetesës dhe ndërtoi bazat për një barazi të plotë midis popullit shqiptar dhe atij maqedonas.
2. Njëzet e pesë vjet pas nënshkrimit të saj, vlerësojmë se Marrëveshja ka prodhuar rezultate të rëndësishme në avancimin e të drejtave për shqiptarët dhe komunitetet më të vogla në përfaqësimin institucional, decentralizimin e pushtetit, përdorimin e gjuhëve dhe orientimin euroatlantik të shtetit. Megjithatë, zbatimi i saj mbetet ende i papërfunduar dhe kërkon përkushtim të vazhdueshëm institucional.
3. Shprehim shqetësimin tonë për tendencat që cenojnë frymën dhe parimet themelore të Marrëveshjes së Ohrit, përfshirë mosrespektimin e legjitimitetit politik e kombëtar në përfaqësim, dobësimin e mekanizmave të konsensusit, anashkalimin e parimit të Badinterit dhe të përfaqësimit të drejtë e të barabartë, si dhe zhvillimet që lidhen me statusin kushtetues dhe praktik të përdorimit të gjuhës shqipe.
4. Vlerësojmë se çdo përpjekje për relativizimin apo dobësimin e këtyre parimeve nuk përbën vetëm regres demokratik, por rrezikon të dëmtojë besimin ndërmjet dy popujve më të mëdhenj (atij maqedonas dhe atij shqiptar), si dhe të cenojë stabilitetin dhe kohezionin afatgjatë të shtetit.
5. I bëjmë thirrje Qeverisë së Maqedonisë së Veriut që të respektojë në mënyrë konsekuente Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, të garantojë zbatimin e plotë të parimeve kushtetuese mbi të cilat është ndërtuar rendi demokratik dhe të mbështes barazinë e plotë midis dy popujve tanë.
6. U bëjmë thirrje të gjitha subjekteve politike shqiptare që, pavarësisht dallimeve partiake, ta bëjnë pjesë të programeve dhe platformave të tyre politike angazhimin për një zgjidhje të drejtë, të qëndrueshme dhe afatgjate të çështjes së barazisë ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve, si dy popuj shumicë në shtet. Populli shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut duhet të jetë popull shtetformues – plotësisht i barabartë me popullin maqedonas. Kjo kauzë duhet të shndërrohet në një platformë të përbashkët të të gjitha forcave politike shqiptare dhe të mbarë popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
7. Vlerësojmë se stagnimi i procesit të integrimit evropian, përkeqësimi i klimës politike dhe dobësimi i standardeve demokratike krijojnë hapësirë për ndikime gjeopolitike që bien ndesh me orientimin strategjik euroatlantik të Maqedonisë së Veriut. Integrimi në Bashkimin Evropian mbetet alternativë që garanton stabilitet, zhvillim dhe siguri afatgjate.
8. U bëjmë thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe gjithë partnerëve ndërkombëtarë që të vazhdojnë të mbështesin dhe monitorojnë zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe të mbështesin të drejtën elementare të popullit shqiptar për barazi të plotë me popullin maqedonas, si garanci për paqen, demokracinë dhe stabilitetin në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon.
9. Shoqëria “Lëvizja” konsideron se respektimi i Kushtetutës, sundimi i ligjit, barazia qytetare dhe kombëtare, si dhe zbatimi i plotë i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit janë parakushtet themelore për ndërtimin e një shoqërie demokratike, funksionale dhe të integruar në familjenc evropiane.
10. Në 25-vjetorin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, ritheksojmë se paqja nuk është një e arritur e përhershme, por një përgjegjësi e përditshme. Prandaj, u bëjmë thirrje institucioneve shtetërore, klasës politike, shoqërisë civile, komunitetit akademik dhe partnerëve ndërkombëtarë që të veprojnë me përgjegjësi për të mbrojtur frymën e Marrëveshjes së Ohrit, për të parandaluar riciklimin e krizave politike dhe ndërnacionale dhe për të garantuar një të ardhme demokratike, të barabartë dhe evropiane për popullin shqiptar dhe për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.
11. Kjo Deklaratë u hartua nga Komisioni Hartues mbi bazën e referimeve shkencore, diskutimeve dhe rekomandimeve të paraqitura gjatë Simpoziumit Shkencor me rastin e 25-vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
Pas shqyrtimit të saj, Deklarata u miratua me konsensus nga pjesëmarrësit e Simpoziumit, si qëndrim i përbashkët akademik, intelektual dhe qytetar.
Strugë, më 15 gusht 2026



