NJË JETË E JETUAR NDRYSHE – Kronikë eseistike për librin e Lebit Murtishit

01 tetor 2026 | 10:19

Shkruan: Prend Buzhala

Në Prishtinë, në lokalet e Shoqatës së të Burgosurve Politikë, në përurimin e librit “Një jetë ndryshe” të Lebit Murtishit, me kujtime të ish të burgosurit politik Idriz Mehmeti. Ligjëruan: Berat Luzha, Emin Halimi (teksin e lexoi i vëllai), Saime Isufi dhe Ismet Rashiti, i cili edhe e moderoi këtë përurim. Të pranishmit i përshëndeti edhe protagonisti i gjallë i këtij libri, Idriz Mehmeti.

1.
Libri i Lebit Murtishit, me kujtimet e ish-të burgosurit politik Idriz Mehmeti, është shkruar si një varg dëshmish që nisin nga fëmijëria dhe hapat e parë të ndërgjegjësimit, kalojnë nëpër ballafaqimet me aparatin shtetëror jugosllav dhe përndjekjen e UDB-së, përmes demonstratave të viteve ’80, burgut, viteve ’90, mërgimit dhe, më në fund, kthimit në Kosovë e inkuadrimit në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pra, kemi përpara jo vetëm kujtimet e një njeriu, por një biografi të rezistencës së një brezi.
Në kapitullin e parë, gjithçka nis me “hapat e parë në përballje”. Largimi nga fshati, njohja me jetën urbane, dashuria e babait për shkollën, takimi i parë me urrejtjen antishqiptare. Janë pikërisht këto përvoja të hershme që e ndërtojnë ngadalë vetëdijen e rrëfimtarit. Aty lind edhe ajo fjali me peshë të veçantë: “Kryengritja, tashmë, kishte lindur brenda meje.”
Kryengritja, në fillim, është një ndjenjë. Është një pyetje që lind në VETËDIJEN NË FORMIM E SIPËR. . Është zgjim përballë padrejtësisë. Pastaj kjo ndjenjë merr forma të tjera: vetëdije, veprim politik, demonstratë, përballje, burg, arratisje, kthim dhe luftë. Nga një shkëndijë e brendshme ajo shndërrohet në qëndrim, nga qëndrimi në veprim, nga veprimi në histori.
Kapitulli i dytë e sjell këtë vetëdije përballë mekanizmit të përndjekjes. Rasti “Kosova ’75”, arrestimet, vëzhgimi dhe ndjekja e vazhdueshme dëshmojnë se përplasja tashmë ka kaluar nga brendësia e njeriut në hapësirën publike. Përballja fizike me urrejtjen bëhet, siç thuhet në përmbajtje, e pashmangshme.
Pastaj vijnë vitet ’80.
Demonstratat, tentim-arrestimi, largimi nga Kosova, përvoja e burgut, kthimi në një realitet ku njeriu ndihet vazhdimisht nën vëzhgim. Edhe kur duket se jeta ka marrë një rrjedhë tjetër, përndjekja vazhdon. Edhe “puna e shtetit” nuk e ndërpret atë. Edhe shërbimi ushtarak në APJ bëhet pjesë e këtij rrëfimi të pazakontë. Në sfond shfaqet edhe figura e Fehmi Lladrofcit, si një tjetër emër që e lidh kujtesën personale me historinë e një kohe.
Kështu, libri nuk ecën drejt përfundimit në vijë të drejtë. Ai ecën nëpër kthesa. Një jetë e tillë nuk mund të rrëfehet si një biografi e zakonshme, sepse çdo kthesë e saj lidhet me një kthesë të Kosovës.
Kapitulli i katërt e dëshmon këtë edhe më fuqishëm. Përndjekjet nuk kanë të ndalur. Një udhëtim i zakonshëm “për pazar” përfundon në zyrat e UDB-së. Një njeri mund të niset për një punë të përditshme dhe të përfundojë përballë mekanizmit të shtetit. Kjo është një nga paradokset e kohës: jeta e zakonshme ishte bërë e pazakontë.Edhe pyetja “Çka të bën i yti…” mbetet si një plagë e brendshme e rrëfimit. Sepse përndjekja nuk përjetohet vetëm si përballje me një sistem abstrakt. Ajo prek marrëdhëniet njerëzore, besimin, frikën dhe dyshimin. Pastaj vijnë protestat për mbrojtjen e autonomisë dhe përballjet me milicinë. Dhe këtu historia personale e Idriz Mehmetit fillon të bëhet gjithnjë e më shumë histori kolektive. Në fillim të viteve ’90, në kapitullin e pestë, hapet një tjetër horizont. Përballja me sistemin merr forma të reja. Sulmi i parë mbi Jasharët, udhëtimi me Komandantin, vajtja në “tokën e ndaluar”, kthimi për herë të dytë në Shqipëri, përballjet me milicinë dhe angazhimi në jetën politike “legale” tregojnë një kohë në të cilën rrugët e rezistencës po ndryshonin.
Një kapitull i veçantë i jetës po mbyllej. Një tjetër po hapej.Dhe ai kapitull lidhet me luftën.
Kapitulli i gjashtë, “Largimi nga Kosova dhe inkuadrimi në radhët e UÇK-së”, është ndoshta pika ku kujtesa personale bashkohet më drejtpërdrejt me kujtesën e luftës. Largimi nga Kosova, mërgimi, kthimi dhe inkuadrimi në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e çojnë rrëfimin në një tjetër shkallë.Por edhe këtu libri nuk e humb njeriun.Përkundrazi, ai e sjell njeriun në qendër të luftës.
Fjalia “Atë ditë, sikur e kam varrosur një pjesë të vetes sime…” e zbret historinë e madhe në dhimbjen e një individi. Lufta ka komandantë, beteja, fronte, data e ngjarje; por mbi të gjitha ka njerëz që humbin njerëzit e tyre. Prandaj kjo fjali është më shumë se një kujtim personal. Ajo është një nga ato çaste ku historia bëhet përnjëherë heshtje.
Më pas vjen “përgatitja matanë kufirit për goditjen përfundimtare” dhe agimi i lirisë. Rrëfimi i afrohet përmbylljes së tij, por jo edhe përmbylljes së kujtesës, sespe kujtesa nuk përfundon aty ku përfundon lufta.
Kjo kuptohet edhe nga ndërtimi i pjesës së fundit të librit. Pas rrëfimit kryesor vijnë kapitujt që e zgjerojnë kuptimin e tij: figura e Tahire Dobra Dervishit, “shëmbëlltyrë e ndritur e gruas shqiptare”, angazhimi i saj në demonstratat e vitit 1981 dhe përkrahja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; pastaj epilogu, poshtëshënimet dhe recensionet. Kështu, një jetë individuale hapet drejt jetëve të tjera.
Ky është një prej dimensioneve më interesante të librit të Lebit Murtishit: ai nuk e mbyll rrëfimin brenda “unit” të rrëfimtarit. Përkundrazi, nga një kujtim kalon te një brez, nga një brez te një kohë, nga një kohë te një kujtesë kombëtare.
Prandaj edhe pjesa përfundimtare, “Jeta si rezistencë dhe kujtesë kombëtare”, tingëllon si një përkufizim i vetë natyrës së librit.Jeta si rezistencë. Jeta si dëshmi. Jeta si kujtesë.
Në këtë pikë, titulli “Një jetë e jetuar ndryshe” fiton një kuptim më të thellë. Nuk është thjesht historia e një njeriu që ka kaluar nëpër rrethana të vështira. Është historia e një njeriu, jeta e të cilit është përcaktuar vazhdimisht nga përplasja me kohën e vet.
Dhe mbase pikërisht këtu qëndron vlera e kujtimeve: ato nuk e lënë historinë të mbetet vetëm në libra historie. Historia ka fytyrë. Ka zë. Ka burg. Ka familje që presin. Ka rrugë mërgimi. Ka kthime. Ka varre. Ka njerëz që e bartin kujtesën edhe pasi ngjarjet kanë kaluar.

2.
Ishte pra një përurim libri, por edhe një kuvend kujtese.Një libër që nis me fëmijërinë dhe shkollën, kalon nëpër përndjekje, burgje e demonstrata, shkon deri te mërgimi dhe lufta, dhe pastaj kthehet te fjala, te dëshmia, te kujtesa. Në fund mbetet pyetja që e shoqëron çdo rrëfim të tillë: Çfarë ndodh me një jetë pasi koha që e ka përndjekur ka kaluar? Përgjigjja është libri. Jeta kalon.
Koha ndryshon. Dëshmitari mund të heshtë.
Por fjala, kur shkruhet në libër, vazhdon të dëshmojë.
Dhe një jetë e jetuar ndryshe bëhet kështu pjesë e kujtesës së përbashkët.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Me rastin e organizimit të marshit për UÇK-në, që do…