KUR RASTËSIA TA SJELL HISTORINË PËRBALLË -TAKIM ME PRINDËRIT E SHOKUT TIM TË ILEGALITETIT HALIT KRASNIQI
Ismet Sylejmani
Ishte kënaqësi e madhe dhe emocion i veçantë për mua që, krejt rastësisht, në Sante në Prishtinë, të takoja Babain dhe Nënën e Shokut tim të veprimtarisë ilegale politiko-patriotike atdhetare të Komitetit Drejtues të LPK-së, Halit Krasniqi!
Takimi im me prindërit e Shokut të ilegales ishte i papritur, por pikërisht kjo rastësi e bëri edhe më të bukur e më emocionues evenimentin që nuk do ta harroj kurrë!
Në ato pak çaste që pimë kafe bashkë, m’u rikthyen shumë kujtime nga një kohë e largët, e vështirë dhe plot sakrifica, kur veprimtaria jonë atdhetare e patriotike zhvillohej në ilegalitet, nën rrezik permanent e përndjekje policore, por me besim të palëkundur në idealin tonë kombëtar për liri e çlirim, të cilin e bëri realitet lufta heroike e titanike e UÇK-së dhe gjaku i derdhur i Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit, bashkë me Amerikën dhe NATO-n, çlirimtaren tonë dhe bombarduesen e Serbisë pushtuese!
Të takosh prindërit e një Shoku e Bashkëveprimtari të asaj kohe do të thotë të takosh një pjesë të vetë historisë tonë të lavdishme, të kohërave të mëdha në funksion të luftës për liri e çlirim nga pushtuesit serbë dhe tradhtarët!
Janë pikërisht këto familje që rritën dhe edukuan bij e bija që i dolën zot fateve të popullit, Atdheut e Kombit, dhe në rrethana të rënda, morën mbi vete përgjegjësi të mëdha dhe iu përkushtuan me tërë qenien e tyre çështjes kombëtare!
Prandaj, ky takim i rastësishëm me Axhën Adem dhe Nënën Batishahe, Babain dhe Nënën e Shokut Halit Krasniqi, për mua jo vetëm që nuk ishte aspak i zakonshëm, por do të mbetet një nga takimet më të jashtëzakonshme dhe më mbresëlënëse të jetës sime!
U ndjeva shumë i nderuar që pata rastin t’i takoja, t’i përshëndesja, të qëndroja disa çaste e të pija kafe me ta dhe t’u shprehja tërë admirimin dhe respektin tim të madh e të thellë!
Axha Adem, ngjashëm sikur djemtë e Tij e në veçanti Haliti, është torturuar dhe ka vuajtur nëpër zyrat e UDB-së dhe e ka lënë shëndetin e Tij nëpër çelitë famëkëqija, ka bërë burg të pushtuesit e të pushtetit kuisling serb e antishqiptar!
Pesë djem e tri vajza të Axhës Adem e të Nënë Batishahes, por edhe plot nipër e mbesa, janë vazhduesit e ADN-së së tyre, disa nga të cilët janë edhe nipi e mbesat e Komandantit Legjendar të UÇK-së Adem Jashari!
E bëmë një foto dhe ia hodha krahun Nënë Batishahes,sikur dikur Nënës time Ramizes!
Kur u ndamë, nga thellësia e zemrës ju urova shëndet e jetë të gjatë, suksese atyre dhe tërë familjes, edhe tash përmes këtij shkrimi ju uroj gjithë të mirat!
Ismet Sylejmani,
Prishtinë, 17 Gusht 2026!



