Kur fjala është muzikë dhe muzika kuptim

18 gusht 2026 | 15:43

Agim Vinca

Të nderuar të pranishëm, vëllezër dhe motra vajzjote,

I dashur Sokol, Sokol Sadushi, vajzjot i lartë,

E nderuar zonja Edlira,

Të dashur miq dhe kolegë, Zonja dhe zotërinj!

Sonte këtu në Vajzë hap siparin një konkurs letrar mbarëkombëtar, konkursi me emrin e njërit nga poetët më të shquar shqiptarë, Ali Asllani. Nga viti i ardhshëm këtu do të jepet çmimi me emrin e këtij poeti, Çmimi “Ali Asllani”. Si çdo çmim letrar, edhe ky do të ketë dy funksione kryesore: ta nderojë emrin dhe veprën e poetit, emrin e të cilit e mban, Ali Asllanit dhe ta nxisë krijimtarinë poetike në gjuhën shqipe, kudo ku krijohet ajo.

Ne patëm kënaqësinë të dëgjojmë sonte vargjet e poetit Ali Asllani të deklamuara nga aktorët e mirënjohur Yllka Mujo, Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani dhe Rozeta Ferri. Kolegu im Preç Zogaj ju foli për rëndësinë e këtij Çmimi, sikundër edhe për poetin Ali Asllani dhe veprën e tij. Unë dëshiroj të tërheq vëmendjen tuaj te diçka tjetër: te fama që ka pasur Ali Asllani jashtë kufijve politikë të Shqipërisë, në Kosovë dhe në viset shqiptare në Maqedoni, përfshirë edhe vendlindjen time, fshatin Veleshtë të Strugës. Mund të duket e pabesueshme, por Ali Asllani në trevën nga vij unë ka qenë pothuajse po aq i popullarizuar sa Naimi, Çajupi, Mjeda, Noli dhe Migjeni. (Fishta në Kosovë dhe te shqiptarët e Malit të Zi).

Pleqtë e donin për shkak të Hanko Hallës, të rinjtë për hir të guguftusë. Të gjithë, të rinj e pleq, burra e gra, për shkak të simbolit kombëtar, Flamurit kuq e zi dhe qytetit ku u ngrit ai, Vlorës; Vlorës së 1912-s dhe të 1920-s. Do ta donin edhe për Vlorën e ’97-s po të ishte gjallë dhe të hakërrehej si në vitet dyzet.

Ali Asllani (1882-1966) jetoi në tri periudha shoqërore dhe në tre sisteme politike dhe i mbijetoi ato si poet, me fjalën e tij poetike të një bukurie të rrallë.

Nuk e di në e dini, por është rasti të thuhet këtu se në Kosovë ka shkolla me emrin Ali Asllani, kurse vepra e tij ka qenë dhe vazhdon të jetë e përfshirë në programet shkollore të të gjitha niveleve, nga shkolla fillore gjer në universitet. Shkolla e mesme e ulët, si quhen tani shkollat e dikurshme fillore, në fshatin Doganaj të Kaçanikut, mban emrin Ali Asllani. Është një fshat i bukur buzë Lepencit dhe rrëzë maleve të Sharrit në trekëndëshin Prishtinë, Shkup, Tetovë, ku gravitojnë edhe fshatra të tjera të kësaj ane. Në rininë time, të dashur miq, unë kam punuar një vit mësues në këtë fshat. Ishte viti 1966/67, kur Ali Asllani ishte ende në jetë ose sapo ishte ndarë nga jeta. Atëherë kjo shkollë mbante emrin e një luftëtari serb nga Bosnja, Millan Zeçar. Merreni me mend: Millan Zeçar në një vend puro shqiptar! Emrin Ali Asllani do ta marrë pas vitit 1990, kur u pavarësua sistemi arsimor i Kosovës nga ai serb e jugosllav. Vazhdon ta mbajë këtë emër, natyrisht, edhe sot në Republikën e Kosovës. Nuk dua të them se unë kam ndikuar direkt apo indirekt që kjo shkollë ta marrë emrin Ali Asllani, por mund  të them se e ndiej veten mirë për këtë gjë. Do ta ndiej edhe më mirë kur ta realizoj (ta realizojmë bashkë) edhe një ide timen të kahershme: që në oborrin e shkollës në Doganaj të vihet busti i Ali Asllanit. Pata folur me drejtorinë e shkollës dhe me drejtorinë e arsimit të komunës së Kaçanikut, sikurse edhe me autorin e bustit, mjeshtrin Mumtaz Dhrami, qysh në vitin 2020 dhe kjo punë ndoshta do të ishte kryer, por ra pandemia dhe u ndërpre procesi, ashtu siç u paralizua pothuajse jeta në përgjithësi.

Idetë që të bëhen realitet, veçanërisht në kohën tonë, kërkojnë, përveç vullnetit të mirë, edhe mbështetje materiale. Shpresoj të hasi në mirëkuptimin e autoriteteve të komunës së Kaçanikut që busti i Ali Asllanit të vihet në oborrin e shkollës që mban emrin e tij, besoj qysh në vitin që vjen. Atëherë, një mbrëmje e këtij festivali do të mund të spostohej nga Vlora e Flamurit në Kaçanikun shkëmb e gur, që vritet e pritet për flamur. Kjo do të ishte, besoj, edhe dëshirë e poetit Ali Asllani, këtij Khajami shqiptar, që këndoi aq bukur për dashurinë, jetën dhe gëzimet e saj. Për të mos u zgjatur, më lejoni të citoj vetëm një varg nga lirikat e xha Aliut: “Me qerpik të syrit tim do fshi vëndin ku të rrish”. Ali Asllani është poet tradicional, me frymëzim kryesisht romantik, por një figure të tillë, në thelb surreale, do t’ia kishin lakmi edhe poetë modernë e avangardë si Neruda e Elyari.

Urojmë që Çmimi që po shpallim sonte t’i motivojë poetët tanë për të krijuar poezi të bukura e me vlerë, ku fjala është muzikë dhe muzika kuptim, të tilla çfarë krijuan Ali Asllani dhe poetët e tjerë shqiptarë, para dhe pas tij.

Ju falemnderit!

Vajzë, 15 gusht 2026

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike…