Komandanti i KFOR-it dhe ambasadori britanik diskutojnë për situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon
Situata e sigurisë në Kosovë dhe rajon ka qenë në fokus të takimit mes komandantit të KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, dhe ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Takimi është zhvilluar në selinë e KFOR-it, në Kampin “Film City” në Prishtinë, ku Ulutash ka ritheksuar përkushtimin e misionit të NATO-s për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët në Kosovë.
Gjatë takimit janë diskutuar zhvillimet e sigurisë në rajon, ndërsa komandanti i KFOR-it ka shprehur mirënjohje për kontributin e vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar në misionin e udhëhequr nga NATO-ja.
Ulutash ka nënvizuar veçanërisht “kontributin e vazhdueshëm dhe të rëndësishëm” të Britanisë së Madhe në KFOR.
KFOR-i ka rikujtuar se vazhdon të zbatojë mandatin e tij në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke kontribuar në ruajtjen e sigurisë dhe garantimin e lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët në mënyrë të paanshme.
Në kuadër të këtij mandati, KFOR-i “bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX”.
Takimi është zhvilluar në një kohë kur zhvillimet e sigurisë në Kosovë dhe rajon vazhdojnë të jenë në vëmendjen e aktorëve ndërkombëtarë, ndërsa KFOR-i mbetet një prej aktorëve kryesorë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë në vend.




