Drita luan sonte ndeshjen e parë të ‘play-off’-it në Conference League
Kampionia e Kosovës në futboll, Drita është vetëm dy ndeshje larg kualifikimit në fazën e ligës të Ligës së Konferencës.
Në këto dy ndeshje, Drita duhet ta eliminojë skuadrën nga Andorra, Inter d’Escaldes në “play-offin” kualifikues të Ligës së Konferencës për të qenë pjesë e fazës zyrtare të kësaj gare të UEFA-s, që është niveli itretë.
Ndeshjen e parë të “play-offit”, Drita e luan si vendase, ku sonte prej orës 20:00 e pret Interin e Andorrës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Po ashtu, Drita pret përkrahje të madhe nga tribunat pasi prej të martës ka nxjerrë në shitje biletat, fillimisht në Gjilan dhe pastaj në Prishtinë, që dolën në shitje gjatë ditës së sotme.
Te Drita ka optimizëm për të dyja përballjet me ekipinnga Andorra, të cilin e kishte mposhtur 2:1 në turneun parakualifikues të Ligës së Kampionëve në sezonin 2020/21.
Trajneri Ardian Nuhiu dhe sulmuesi Igball Jashari, kanë pranuar në konferencën për shtyp se synimi i Dritës është ta fitojë këtë ndeshje dhe me një këmbë të jetë e kualifikuar në fazën e ligës.
Sigurisht, kanë insistuar se kanë respekt dhe vlerësim maksimal për kundërshtarin që sikurse Drita kualifikimet këtë sezon në garat evropiane i nisi në Ligën e Kampionëve për t’i vazhduar në Ligën e Konferencës pas eliminimit në raundin e parë.
Te Drita kanë insistuar se janë të gatshëm dhe përgatitur maksimalisht për ndeshjen në Prishtinë, sidomos pasi eliminuan ekipet Floriana dhe Tre Fiori në raundin e dytë, përkatësisht tretë kualifikues.
Me kthimin e Nuhiut në krye të Dritës, ekipi ka treguar lojë më ofensive dhe në dy ndeshje të luajtura nën drejtimin e tij, kampionia ka shënuar 10 gola.
Sezonin e shkuar, Drita jo vetëm që ishte pjesë e fazës së ligës të Ligës së Konferencës por arriti edhe në raundin nokaut, në të cilin u eliminua.



