Në mbrojtje të romanit
GEORGE ORWELL
Nuk ka nevojë të theksohet se në këtë çast prestigji i romanit është jashtëzakonisht i ulët, aq i ulët saqë fjalët “Nuk kam lexuar kurrë romane”, të cilat edhe disa dekada më parë thuheshin përgjithësisht me një ton shfajësues, tani thuhen gjithmonë me një ton krenarie të vetëdijshme. Është e vërtetë se ka ende pak romancierë bashkëkohorë, ose gati bashkëkohorë, të cilët klasa intelektuale i sheh si të lejueshëm për t’u lexuar, por çështja është se romani i zakonshëm, i mirë apo i keq, zakonisht shpërfillet, ndërsa librat e zakonshëm të mirë-këqij me vjersha ose kritika letrare ende merren seriozisht. Kjo do të thotë që nëse shkruani romane, keni vetvetiu një publik më pak inteligjent sesa do të kishit nëse do të kishit zgjedhur ndonjë gjini tjetër. Ka dy arsye mjaft të dukshme pse kjo duket se e bën të pamundur për momentin shkrimin e romaneve të mira. Edhe tani romani është duke u përkeqësuar dhe do të përkeqësohej shumë më shpejt nëse shumica e romancierëve do të kishin ndonjë ide se kush i lexon librat e tyre. Sigurisht është e lehtë të argumentohet (shiko për shembull esenë e çuditshme gjithë mllef të Bellocit) se romani është një formë e përbuzur arti dhe se fati i tij nuk ka rëndësi. Dyshoj nëse ia vlen të diskutohet një ide e tillë. Sido që të jetë, unë e marr si të mirëqenë që romani ia vlen të ruhet dhe se për ta shpëtuar duhet t’i bindësh njerëzit inteligjentë që ta marrin seriozisht. Prandaj ia vlen të analizohet një nga shkaqet e shumta, për mendimin tim, shkaku kryesor, i humbjes së prestigjit të romanit.
Problemi është se ekzistenca e romanit është e kërcënuar. Pyesni çdokënd që mendon se përse ai “nuk ka lexuar kurrë romane”, zakonisht do të zbuloni se, në fund, është për shkak të gjepurave të pështira që shkruajnë recensuesit në kopertinën e pasme. S’ka nevojë të shumëfishohen shembujt. Këtu kemi vetëm një shembull, nga Sunday Times i javës së kaluar: “Nëse e lexoni këtë libër dhe nuk klithni nga kënaqësia, shpirti juaj ka vdekur”. Kjo ose diçka e ngjashme po shkruhet tani për çdo roman të botuar, siç mund ta shihni nga njoftimet promovuese. Për këdo që e merr seriozisht Sunday Times, jeta duhet të jetë një luftë e gjatë për ta kapur ritmin e saj. Romanet po botohen në breshëri, pesëmbëdhjetë në ditë, dhe secili prej tyre është një kryevepër e paharrueshme, të cilën, nëse nuk e lexon, ti rrezikon të mos kesh shpirt. Kjo duhet ta bëjë kaq të vështirë zgjedhjen e një libri në bibliotekë dhe të bën të ndihesh kaq fajtor kur nuk arrin të këlthasësh nga kënaqësia. Në fakt, megjithatë, askush nuk mashtrohet nga kjo lloj gjëje dhe përbuzja me të cilën shihen recensionet e romaneve shtrihet edhe te vetë romanet. Kur të gjitha romanet përshkruhen si gjeniale, është krejt e natyrshme të mendohet se të gjitha janë të pavlera. Brenda klasës intelektuale letrare ky hamendësim tani merret si i mirëqenë. Të pranosh se të pëlqejnë romanet në ditët e sotme është gati njësoj si të pranosh se ke dëshirë të madhe të hash arra kokosi ose se parapëlqen Rupert Brooken kundrejt Gerard Manley Hopkinsit.
Është më se e qartë. Mendoj se më pak e dukshme është mënyra si është krijuar kjo situatë. Në pamje të parë, recensa me pagesë e librit është një mashtrim fare i thjeshtë dhe cinik. Z shkruan një libër i cili botohet nga Y për të cilin shkruhet një recensë nga X në Të përjavshmen Ë. Nëse recensioni është i keq, Y do të heqë reklamën, kështu që X duhet të shpërndajë një “kryevepër të paharrueshme” ose të lërë punën. Në thelb kjo është situata, dhe recensioni i romanit ka rënë kaq poshtë kryesisht sepse çdo recensues ka një ose disa botues që i rrinë si çekan mbi kokë. Por situata nuk është kaq e pashpresë sa duket. Palët e ndryshme në këtë skemë mashtrimi nuk veprojnë së bashku me vetëdije dhe janë detyruar në pozicionin e tyre aktual të veprojnë kështu deri diku kundër vullnetit të tyre.
Si fillim, nuk duhet të hamendësohet, siç bëhet, se romancieri kënaqet, madje është në një farë mënyre përgjegjës për recensionet që u bëhen romaneve të tij. Askujt nuk i pëlqen t’i thuhet se ka shkruar me një pasion drithërues që do të ketë jetë sa gjuha angleze, ndonëse, sigurisht, është zhgënjyese të mos të thuhet kështu, sepse të gjithë romancierëve u thuhet njësoj, dhe të lihesh jashtë, me sa duket, do të thotë që librat e tu nuk do të shiten. Gremçi i recensës është, në fakt, një lloj domosdoshmërie tregtimi, njësoj si mbështjellësja e kapakut të një libri, është thjesht një zgjatim. Por edhe recensuesi i shkretë s’duhet të fajësohet për gjepurat që ai shkruan. Në rrethanat e tij të veçanta, nuk mund të shkruante gjë tjetër. Sepse edhe sikur të mos bëhej fjalë për ryshfet, të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, s’mund të ketë diçka të tillë si kritikë e mirë romani për sa kohë që hamendësohet se për të gjitha romanet ia vlen të shkruhet një recensë.
Një gazetë periodike merr një pirg të përjavshëm librash dhe një duzinë prej tyre ia përcjell X, recensues i paguar, i cili ka një grua dhe familje për të mbajtur dhe duhet të fitojë para, për të mos përmendur pagesën për një vëllim, të cilën ai e merr duke shitur kopjet e tij të recensës. Ka dy arsye pse X e ka krejtësisht të pamundur të tregojë të vërtetën për librat që merr. Si fillim, gjasat janë që njëmbëdhjetë nga dymbëdhjetë librat nuk do të ngjallin tek ai shkëndijën më të vogël të interesit. Ata nuk janë si zakonisht libra të këqij, janë thjesht pa interes, të pajetë dhe të pakuptimtë. Nëse s’do të paguhej për ta bërë këtë, kurrë s’do të lexonte një rresht prej tyre, e gati në çdo rast e vetmja recensë e vërtetë që mund të shkruante do të ishte: “ky libër s’më frymëzon asnjë mendim”. Por a do t’ju paguante kush për të shkruar diçka të tillë? Është e qartë se jo. Si fillim, pra X është në pozicionin e rremë që duhet të shkruajë, le të themi, treqind fjalë për një libër që për të s’do të thotë asgjë. Zakonisht ai e bën duke dhënë një përmbledhje të shkurtër të subjektit (rastësisht duke dalë zbuluar ndaj autorit që ai s’e ka lexuar librin) dhe duke bërë disa lëvdata të cilat, me gjithë plotësinë e tyre, janë po aq të vlefshme sa buzëqeshja e një prostitute.
Por ka një të keqe shumë më të madhe se kjo. X pritet jo vetëm të thotë se për çfarë bëhet fjalë në libër, por ta japë mendimin e tij nëse është i mirë apo i keq. Meqenëse X mban një stilolaps në dorë, ka gjasa të mos jetë budalla, në çdo rast jo aq budalla sa të imagjinojë se “Nimfa e vazhdueshme” e Margaret Kennedyt është tragjedia më e tmerrshme e shkruar ndonjëherë. Ka shumë mundësi që romancieri i tij i parapëlqyer, nëse lexon romane, është një prej këtyre: Stendali, Dickensi, Jane Austen, D. H. Lawrence, Dostojevski ose, në ndonjë rast të rrallë, dikush shumë më i mirë se romancierët bashkëkohorë. Prandaj, ai duhet të fillojë duke ulur jashtëzakonisht standardet e tij. Siç e kam theksuar diku tjetër, të zbatosh një standard të mirë në një varg të zakonshëm romanesh është si të peshosh një plesht në një peshore për elefantët. Në një peshore të tillë nuk mund të peshosh asgjë, prandaj duhet të fillosh të ndërtosh një tjetër duke e ditur që ka pleshta të mëdhenj dhe të vegjël. Dhe kjo është pak a shumë ajo që bën X. Është e kotë të thuash në mënyrë monotone, libër pas libri, “Ky libër është kot” sepse, edhe një herë po ta bësh, askush s’do të paguajë për të shkruar diçka të tillë. X duhet të zbulojë diçka që nuk është kot, dhe ta bëjë shpesh ose të lërë punën.
Kjo do të thotë ulje aq e madhe e stekës sa, le të themi, të shkruajë që “Rruga e shqiponjës” e Ethel M. Dellit është një libër shumë i mirë. Por në një shkallë vlerash që e bën “Rruga e shqiponjës” një libër të mirë, “Nimfa e vazhdueshme” është një libër i shkëlqyer, dhe “Njeriu i pasurisë” i John Galsworthyt çfarë është? Një rrëfim drithërues pasioni, një kryevepër e frikshme, që rrëmben shpirtin, një epikë e paharrueshme që do të zgjasë aq sa gjuha angleze e kështu me radhë. (Si për çdo libër vërtet të mirë, ai do të shpërthejë në lëvdata.) Duke filluar me hamendësimin se të gjitha romanet janë të mira, recensenti shkon gjithnjë e më lart në një shkallë mbiemrash të zhveshur. Dhe në vend të sic itur ad astra (e tillë është rruga drejt përjetësisë) mund të themi sic itur ad Gould,[1] recensues pas recensuesi duke ndjekur të njëjtën rrugë.
Brenda dy viteve pasi ka filluar me qëllime deri diku të ndershme, ai po shpall me britma të mëdha se “Nata e përskuqur” e Barbara Bedworthyt është kryevepra më e frikshme, më e mprehtë, më prekëse, më e paharrueshme e tokës, e kështu me radhë, kryevepra që nuk kanë ekzistuar ndonjëherë etj, etj, etj, etj, etj. Nuk ka rrugëdalje kur keni kryer një herë mëkatin fillestar të pretendimit se një libër i keq është i mirë. Por nuk mund të shkruash recensa për ta nxjerrë jetesën pa e kryer këtë mëkat. Dhe ndërkohë çdo lexues inteligjent largohet i neveritur dhe përbuzja e romaneve bëhet një lloj detyre snobiste. Kësisoj është e mundur që një roman me merita të vërteta t’i shpëtojë vëmendjes, thjesht sepse është lavdëruar në të njëjtat terma si romani pa vlerë.
Njerëz të ndryshëm kanë propozuar se do të ishte mirë nëse s’do të shkruheshin recensa për asnjë roman. Megjithatë, propozimi është i kotë, sepse asgjë e tillë s’do të ndodhë. Asnjë gazetë që varet nga reklamat e botuesve nuk mund t’i lejojë vetes t’i flakë ato, dhe megjithëse botuesit më inteligjentë ndoshta e kuptojnë se s’do të ishin më keq nëse nuk do të kishte recensione librash, ata s’mund të heqin dorë prej tyre për të njëjtën arsye pse kombet s’mund të çarmatosen, sepse askush nuk dëshiron të jetë i pari ai që e bën. Për një kohë të gjatë, recensat do të vazhdojnë të shkruhen dhe do të bëhen gjithnjë e më të këqija. E vetmja zgjidhje është që në një farë mënyre të shpërfillen. Por kjo mund të ndodhë vetëm nëse diku ka një recensë të denjë të një romani i cili do të shërbejë si një standard krahasimi. Kjo do të thotë, ka nevojë vetëm për një organ periodik (do të mjaftonte për fillim) i cili të ketë recensa të specializuara për romanet, por të refuzonte të shkruante për çdo lloj romani pa vlerë, dhe në të cilin recensentët janë recensentë e jo budallenj që shtrëngojnë nofullat dhe e lirojnë dorën me lëvdata sa herë që ua kërkon botuesi.
Mund të kemi përgjigjen se tashmë ka periodikë të tillë. Për shembull, janë shumë revista elitare në të cilat recensat për romanin janë të mençura dhe nuk janë të korruptuara. Po, por çështja është se revistat periodike të këtij lloji nuk u japin shumë hapësirë recensave për romanet dhe nuk bëjnë asnjë përpjekje për të filtruar të gjithë krijimtarinë letrare. Ata i përkasin botës elitare, botës në të cilën tashmë mendohet se romanet nuk honepsen. Por romani është një formë popullore arti dhe nuk është e dobishme t’i qasemi me hamendësimin se letërsia është një lojë nderi e ndërsjellë (ose sulmi sipas rrethanave) midis grupeve të vogla elitare. Romancieri është më së shumti një tregimtar dhe një njeri mund të jetë një tregimtar shumë i mirë (për shembull Trollope, Charles Reade, Somerset Maugham) pa qenë në kuptimin e ngushtë “intelektual”. Pesë mijë romane botohen çdo vit dhe Ralph Straus[2] ju përgjërohet t’i lexoni të gjitha, dhe po të ishte e mundur do të kishte botuar recensa për të gjitha. Revista Criterion ndoshta denjon të shkruajë për një duzinë. Por midis një duzine dhe pesë mijë librave mund të ketë njëqind, dyqind apo edhe pesëqind, të cilat në nivele të ndryshme kanë merita të vërteta, dhe pikërisht tek to duhet të përqendrohet çdo kritik që ka interesim për romanin.
Por domosdoshmëria e parë është metoda e vlerësimit. Një numër i madh romanesh s’duhen përmendur fare (përfytyroni, për shembull, efektet e tmerrshme në kritikë, nëse çdo romancë që botohet te revista e grave do të duhej të kishte një recensë të shkruar solemnisht!), por edhe ato që ia vlen të përmenden u përkasin kategorive krejt të ndryshme. Raffles[3] është një libër i mirë dhe, po ashtu, është edhe Ishulli i Dr. Moreau-s,[4] po kështu është edhe Manastiri i Parmës, dhe po kështu është Makbethi, por ato janë “të mira” në nivele shumë të ndryshme. Po kështu, Nëse vjen dimri[5] dhe I shtrenjti im[6] dhe Një socialist josocial[7] dhe Jeta dhe aventurat e Sir Launcelot Greaves[8] janë libra të këqij, por në nivele të ndryshme të “së keqes”. Ky është fakti që recensuesi i paguar e ka bërë punën e tij veçanërisht të errët. Duhet të jetë e mundur të krijohet një sistem, ndoshta shumë i rreptë, i klasifikimit të romaneve në kategoritë A, B, C e kështu me radhë, në mënyrë që nëse një recensues e lavdëron apo mallkon një libër, të paktën do ta kuptoni se sa seriozisht donte të thoshte se duhet të merret.
Sa për recensentët, ata do të duhej të ishin njerëz që kujdeseshin vërtet për artin e romanit (dhe kjo do të thotë, me siguri, elitarë, as të shtresës së ulët, por të shtresës së moderuar), njerëz të interesuar për teknikën dhe ende më shumë të interesuar për të zbuluar se për çfarë bën fjalë një libër. Ka plot njerëz të tillë. Disa nga më të këqijtë e recensentëve, edhe pse tani e kanë kaluar atë fazë, e kanë filluar kështu, siç mund ta vëreni nëse i hidhni një vështrim punës së tyre të mëparshme. Herë pas here do të ishte një gjë e mirë nëse më shumë recensa romanesh do të bëheshin nga amatorë. Ai që nuk është shkrimtar, por sapo ka lexuar një libër që i ka bërë shumë përshtypje, ka më shumë gjasa t’ju tregojë se për çfarë bëhet fjalë sesa një profesionist i aftë, pa dëshirën për ta bërë. Kjo është arsyeja pse recensionet amerikane, me gjithë marrëzinë e tyre, janë më të mira se ato angleze; janë më amatore, domethënë më serioze.
Unë besoj se në një farë mënyre, siç e kam theksuar, mund të rikthehet prestigji i romanit. Nevoja thelbësore është një gazetë që do të ndiqte zhvillimet në letërsinë e sotme dhe do ta refuzonte mosrespektimin e standardeve. Do të duhej të ishte një gazetë jo shumë popullore, sepse botuesit s’do të reklamonin në të; nga ana tjetër, sapo lexuesit të zbulonin se kishte një lëvdatë të vërtetë; ata do të ishin të gatshëm për ta cituar në njoftimet e tyre. Edhe nëse do të ishte një gazetë shumë e panjohur, ndoshta do të bënte që niveli i përgjithshëm i recencave për romanin të ngrihej, sepse gjepurat në gazetat e së dielës vazhdojnë vetëm sepse nuk ka asgjë me të cilën mund të krahasohen. Por edhe nëse recensentët do të vazhdonin njëlloj si më parë, nuk do të kishte rëndësi për sa kohë do të ekzistonte edhe një recensë e denjë për t’u kujtuar disa njerëzve se mendjet serioze ende mund të merren me romanin. Sepse, ashtu si Zoti premtoi se nuk do ta shkatërronte Sodomën nëse do të gjendeshin atje dhjetë njerëz të drejtë, ashtu edhe romani nuk do të përbuzet plotësisht për sa kohë që dihet se diku ka edhe një grusht recensentësh të romanit që nuk e kanë mizën nën kësulë.
Aktualisht, nëse ju interesojnë romanet dhe ende më shumë nëse i shkruani, këndvështrimi është skajshmërisht dëshpërues. Fjala “roman” të kujton fjalët “promovim”, “gjeni” dhe recensentin Ralph Straus po aq automatikisht sa fjala “pulë”, të kujton fjalën “salcë buke”. Njerëzit inteligjentë i shmangin romanet gati instinktivisht; si pasojë, romancierët e njohur tronditen edhe fillestarët që “kanë diçka për të thënë” – parapëlqejnë pothuajse çdo gjini tjetër. Përkeqësimi që duhet të pasojë është i dukshëm. Shikoni për shembull në novelat e lira që shihni pirg në banakun e çdo shitësi kinkalerie. Këto gjëra janë pasardhësit dekadentë të romanit, që kanë të njëjtin lidhje me Manon Lescaut[9] dhe “David Koperfildi” ashtu si lidhja që ekziston mes një qeni dhe ujkut.
Ka shumë të ngjarë që së shpejti romani mesatar nuk do të jetë shumë i ndryshëm nga romani që kushton lirë, ndonëse pa dyshim do të shfaqet ende në një lidhje që kushton më shumë dhe kjo mes zhurmës së borive të botuesve. Njerëz të ndryshëm kanë profetizuar se romani është i dënuar të zhduket në të ardhmen e afërt. Nuk besoj se do të zhduket, për arsye që do të kërkonte shumë kohë për t’u paraqitur, por është mjaft dukshme. Është shumë më e mundshme nëse mendjet më të mira letrare nuk nxiten të kthehen tek ai, të mbijetojë në një formë të sipërfaqshme, i përçmuar dhe i përkeqësuar në mënyrë të pashpresë, si gurët e varreve moderne, ose një shfaqje popullore me kukulla.
New English Weekly, 1936
[1] Gerald Gould, në atë kohë recensues romanesh me ndikim për revistën “Observer”.
[2] Ralph Straus (1882-1950), recensues kryesor për Sunday Times nga viti 1928 deri në fund të jetës.
[3] Ernest William Hornung (1866-1921) autor dhe poet anglez i njohur për shkrimin e serisë së tregimeve të A. J. Raffles rreth një zotërie hajdut në Londrën e fundshekullit 19.
[4] Roman fantastiko-shkencor i vitit 1896 nga autori anglez H. G. Wells (1866-1946).
[5] Roman i Arthur S. M. Hutchinson (1880-1971), romancier britanik.
[6] Roman i Thomas Hardyt.
[7] George Bernard Shaw (1856-1950), dramaturg, kritik, polemist dhe aktivist politik irlandez.
[8] Romani i katërt i Tobias Smollett i cili u botua në vitin 1760.
[9] Historia e kalorësit të Grieux dhe Manon Lescaut është një roman i Antoine François Prévostit. Botuar më 1731, ai është vëllimi i shtatë dhe i fundit i Kujtimet dhe aventurat e një njeriu me cilësi.
Përktheu nga anglishtja: Granit Zela. Marrë nga numri 27 i revistës “Akademia”, botues “Armagedoni”.



