ZKA-ja: Prokurimi për mirëmbajtjen e autoudhëve nuk respektoi plotësisht parimet e prokurimit publik

21 gusht 2026 | 13:36

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka evidentuar një varg mangësish në procesin e prokurimit për mirëmbajtjen rutinore dhe dimërore të autoudhëve A7 dhe A6 të Republikës së Kosovës për periudhën 2025–2028, duke konstatuar se Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit nuk kishte siguruar respektimin e plotë të parimeve të ekonomisë, efikasitetit, trajtimit të barabartë dhe jodiskriminimit.

Sipas raportit të auditimit të performancës, aktiviteti i prokurimit, me vlerë të parashikuar prej 15.9 milionë eurosh për 36 muaj, ishte iniciuar vetëm 36 ditë para skadimit të kontratave ekzistuese.

Për këtë arsye, afati për dorëzimin e ofertave ishte shkurtuar nga 40 në 21 ditë.

“Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të performancës “Zbatimi i procedurave të prokurimit për mirëmbajtjen rutinore dhe dimërore të autoudhëve A7 dhe A6 të Republikës së Kosovës për vitet 2025–2028”. Rezultatet e auditimit tregojnë se Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit nuk kishte arritur të siguronte që procesi i prokurimit të realizohej plotësisht në përputhje me parimet e ekonomisë, efikasitetit, trajtimit të barabartë dhe jodiskriminimit. Aktiviteti i prokurimit, me vlerë të parashikuar prej 15.9 milionë eurosh për 36 muaj, ishte iniciuar vetëm 36 ditë para skadimit të kontratave ekzistuese, prandaj afati për dorëzimin e ofertave ishte shkurtuar nga 40 në 21 ditë”, ka njoftuar ZKA-ja.

Megjithatë, shkurtimi i afatit nuk kishte përshpejtuar përmbylljen e procedurës.

Hapja e ofertave ishte shtyrë pesë herë, ndërsa procedura ishte zgjatur për rreth pesë muaj për shkak të kërkesave për rishqyrtim, ankesës në Organin Shqyrtues të Prokurimit dhe korrigjimeve në dosjen e tenderit.

Meqë procedura e hapur nuk ishte përmbyllur para fillimit të sezonit dimëror, Ministria kishte përdorur procedura të negociuara për të garantuar vazhdimësinë e mirëmbajtjes së autoudhëve.

“Përmes katër kontratave gjashtëmujore të negociuara, deri në korrik 2026 ishin paguar rreth 2.8 milionë euro. Përdorimi i këtyre procedurave kishte kufizuar konkurrencën dhe kishte ofruar më pak transparencë krahasuar me procedurën e hapur”, theksohet në njoftim.

Mangësi janë evidentuar edhe gjatë vlerësimit të ofertave.

Sipas auditimit, Komisioni i Vlerësimit, në disa raste, nuk kishte kërkuar sqarimet e nevojshme për paqartësi teknike, formale apo metodologjike, ndonëse këto sqarime nuk do ta ndryshonin përmbajtjen substanciale të ofertave.

Kjo, sipas ZKA-së, kishte rritur rrezikun që operatorët ekonomikë të mos trajtoheshin plotësisht në mënyrë të barabartë.

Një tjetër gjetje lidhet me përzgjedhjen e ofertave për katër lotet. Ministria nuk kishte analizuar të gjitha kombinimet e mundshme të ofertave të përgjegjshme. Auditimi ka identifikuar një kombinim alternativ që do të kishte rezultuar me një çmim të përgjithshëm për njësi rreth 15 për qind më të ulët sesa kombinimi i kontraktuar.

Si pasojë, sipas raportit, Ministria nuk kishte arritur të siguronte kombinimin më ekonomik të ofertave dhe kishte humbur mundësinë për të realizuar më shumë shërbime me buxhetin e përcaktuar.

Çmime ekstremisht të ulëta në disa pozicione

Auditimi ka evidentuar gjithashtu dallime të mëdha ndërmjet çmimeve të ofertuara dhe çmimeve referente të përcaktuara nga Ministria.

Në lotin e tretë, 77 nga 113 pozicione, apo 68 për qind, ishin ofertuar me çmime më shumë se 90 për qind më të ulëta se çmimet referente.

Në disa raste, pozicionet që Ministria i kishte përllogaritur me 180 apo 240 euro ishin ofertuar me vetëm 0.10 euro për njësi.

Për këto devijime, sipas ZKA-së, nuk ishte kryer analizë e dokumentuar dhe nuk ishin kërkuar sqarime të mjaftueshme nga operatorët ekonomikë. Kjo kishte rritur rrezikun për vështirësi gjatë zbatimit dhe menaxhimit të kontratave.

ZKA evidenton edhe rrethana të mundshme të konfliktit të interesit

Në aspektin e integritetit të procesit, auditimi ka identifikuar rrethana që potencialisht mund të përbënin konflikt interesi.

Kryesuesi i Komisionit të Vlerësimit kishte pasur më herët angazhim profesional me operatorin ekonomik që ishte shpallur fitues në njërin prej loteve.

Sipas ZKA-së, Ministria nuk kishte bërë vlerësimin apo trajtimin e këtyre rrethanave dhe rasti nuk ishte referuar tek autoriteti kompetent. Kjo, sipas auditorëve, kishte krijuar pasiguri lidhur me paanshmërinë dhe besueshmërinë e procesit të vlerësimit.

Spanca: Duhet të forcohen kontrollet

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka theksuar se planifikimi në kohë i procedurave, përcaktimi i kritereve të qarta dhe vlerësimi i dokumentuar i ofertave janë thelbësore për sigurimin e konkurrencës së drejtë dhe vlerës më të mirë për paranë publike.

Spanca ka kërkuar nga Ministria forcimin e kontrolleve në të gjitha fazat e prokurimit, veçanërisht në analizimin e çmimeve, përzgjedhjen e kombinimit më ekonomik të ofertave dhe parandalimin dhe menaxhimin e rrethanave që mund të krijojnë konflikt interesi.

Për përmirësimin e procesit të prokurimit dhe përdorimin më efikas të fondeve publike, ZKA-ja ka dhënë shtatë rekomandime për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në zyrat e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), në…