Banka Botërore: Ekonomia në Ballkanin Perëndimor pritet të përshpejtohet në 3.1 për qind më 2026
Ekonomia në Ballkanin Perëndimor pritet të përshpejtojë rritjen gjatë vitit 2026, duke arritur në 3.1 për qind, nga 2.6 për qind sa ishte në vitin 2025. Këto janë të dhënat e raportit të Bankës Botërore, “Përditësimi Ekonomik për Evropën dhe Azinë Qendrore: Vënia e Inteligjencës Artificiale në Funksion të Punësimit, Ndërmarrjeve dhe Produktivitetit”.
Ndërkohë, në Evropën Qendrore spikat Polonia me një rritje të qëndrueshme në vlerën 3.6 për qind. Rritja ekonomike e Ukrainës pritet të ngadalësohet në 1.2 për qind, si pasojë e përshkallëzimit të dëmeve ndaj infrastrukturës kritike dhe ndërprerjeve në aktivitetin eksportues.
Ky ngadalësim ndjehet në të gjithë rajonin, duke pasqyruar dobësinë ekonomike në shumicën e këtyre vendeve. Me përjashtim të Rusisë, e cila përfaqëson rreth 40 për qind të prodhimit ekonomik të rajonit, në vitin 2026 ritmi i rritjes pritet të ulet në 3 për qind nga 3.7 për qind në vitin 2025. Çrregullimet në tregjet globale të mallrave bazë kanë ushtruar një ndikim më të kufizuar nga sa pritej fillimisht. “Ekonomitë në zhvillim të rajonit vazhdojnë të shfaqin aftësi ripërtëritëse falë uljes së intensitetit energjetik, forcimit të politikave qeveritare dhe kërkesës së fuqishme të brendshme. Për të rritur produktivitetin dhe për të kontribuar në kompensimin e tkurrjes së popullsisë në moshë pune, vendet e rajonit mund të shfrytëzojnë potencialin e inteligjencës artificiale përmes forcimit të aftësive bazë arsimore dhe menaxheriale, ndërsa përgatisin institucionet e tregut të punës dhe ato të mbrojtjes sociale për t’iu përshtatur këtij transformimi të thellë”, ka thënë Antonella Bassani, zëvendëspresidente e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore.
Rritja e çmimeve të energjisë e ka mbajtur inflacionin në nivele të larta, ndërsa dobësimi i ritmit të rritjes në Bashkimin Evropian dhe konkurrenca gjithnjë e më e fortë nga vendet e tjera po ndikojnë tek eksportet dhe aktiviteti industrial, veçanërisht në zinxhirët e furnizimit të industrisë automobilistike në rajon. Ndërprerjet e mëtejshme të shkëmbimeve tregtare, vazhdimi i konfliktit në Ukrainë, rritja e mëtejshme e kostove të energjisë, transportit dhe plehrave kimike, shtrëngimi i kushteve globale të financimit, dobësimi i rritjes ekonomike te partnerët kryesorë tregtarë dhe fenomenet ekstreme klimatike vijojnë të mbeten ndër rreziqet kryesore.
Raporti, në analizën e tij të posaçme mbi inteligjencën artificiale, vlerëson se përhapja e kësaj teknologjie në rajon po ndodh me një ritëm më të shpejtë sesa aftësia aktuale e ekonomive për ta absorbuar atë. Aktualisht, inteligjenca artificiale përdoret nga më pak se një në dhjetë ndërmarrje, kryesisht për detyra bazike. Megjithatë, raporti vëren se përvetësimi i IA-së pengohet nga mungesa e aftësive bazë arsimore dhe menaxheriale, mungesa e të dhënave të integruara dhe ndërvepruese dhe kapaciteteve për përpunimin kompjuterik.



