Haradinaj propozon Hashim Thaçin për president: “Vazhdimi i mandatit të tij është nder për ne si shqiptarë”
Ish-kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka dalë me një propozim për zgjidhjen e çështjes së presidentit të Kosovës, duke propozuar vazhdimin e mandatit të ish-presidentit Hashim Thaçi.
Haradinaj, gjatë një adresimi për media, ka thënë se rikthimi i Thaçit në pozitën e presidentit do të ishte, sipas tij, në nder të shqiptarëve dhe një kundërpërgjigje ndaj kundërshtarëve të Kosovës.
“Është nder edhe i kësaj legjislature që t’ia vazhdojmë mandatin presidentit Thaçi. Atij i është marrë mandati dhe me kthimin e tij është në nderin tonë si shqiptarë, si komb, për shkak të një kundërpërgjigjeje armiqve të Kosovës, që t’ua vazhdojmë mandatin”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka kritikuar njëkohësisht situatën aktuale institucionale në vend, duke e akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po e mban Kuvendin të bllokuar dhe po e zgjat krizën politike.
Haradinaj ka thënë se edhe çështja e zgjedhjes së presidentit po përdoret si “alibi” për zvarritjen e procesit institucional.
Propozimi i Haradinajt vjen në kohën kur Kosova po përballet me krizë institucionale dhe mungesë të një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit.



