Kurti: 37 milionë euro për Banimin Social Adekuat në 21 komuna, përfitojnë 773 familje
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se së bashku me ministrat Fitore Pacolli-Dalipi dhe Andin Hoti kanë prezantuar projektin e Banimit Social Adekuat, investim që kap vlerën rreth 37 milionë euro.
Sipas Kurtit, projekti shtrihet në 21 komuna dhe parasheh ndërtimin e 773 njësive të banimit për familjet përfituese.
Ai ka theksuar se komunat do të kenë rol të rëndësishëm në zbatimin e projektit, përfshirë procedurat e prokurimit dhe përzgjedhjen e familjeve përfituese.
“Me këtë investim, po bëjmë një hap të rëndësishëm në një prej fushave të cilën, si Qeveri e Republikës së Kosovës, e kemi vendosur në qendër të punës sonë: përmirësimin e mirëqenies së familjeve dhe krijimin e kushteve më të mira për jetë”, ka shkruar Kurti.
Krahas këtij projekti, sipas tij, po avancon edhe projekti i Banimit të Përballueshëm dhe Social, i cili aktualisht është në fazën e zbatimit në Pejë, Istog, Podujevë dhe Gjilan.
Kurti ka thënë se e drejta për banim, barazia dhe siguria sociale mbeten ndër vlerat mbi të cilat po mbështetet kjo politikë e Qeverisë.
“Qëllimi është që shteti të jetë për krejt, sepse krejt jemi të këtij shteti”, ka përfunduar Kurti.



